Policia heq sirenat e alarmit nga Mitrovica e Veriut

Raportohet se Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë hequr sirenën e alarmit të vendosur në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut.

Pas informacioneve për të që u shfaqën në rrjetet sociale, Kosova Online mësoi se aksioni ka ndodhur dje pasdite. Disa policë kanë hyrë në objektin në rrugën “Kralja Petri” dhe prej andej kanë hequr sirenën e alarmit, e cila kohëve të fundit përdoret më së shumti për të mbledhur serbët në mënyrë që të kundërshtojnë aksionet e policisë kundër krimit në atë pjesë të vendit, transmeton Zeri.info.

Sirenat e përdorura në Mitrovicën Veriore kanë qenë edhe temë e Kuvendit Lokal të Mitrovicës së Jugut, këshilltarët e të cilit njëzëri kanë vendosur të ndalohet përdorimi i sirenave për alarm në Mitrovicën e Veriut.