Gjykata merr vendim për katër të akuzuarit për terrorizëm

Ardian Gjuraj, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Ergim Syla u shpallën fajtorë nga Gjykata e Prishtinës për vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Trupi gjykues që vendosi në këtë rast kryesohet nga gjyqtarja Valbona Selimaj me anëtarët, Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari.

Pasi që të njëjtit u shpallën fajtorë, gjykata bëri të ditur se për caktimin e dënimit ka caktuar seancë të veçantë.

Kjo seancë parashihet të mbahet me datë 25 janar.

Sipas aktakuzës voluminoze 45 faqëshe të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, periudha kohore mars 2021 deri më 10 tetor të vitit 2021.

Të njëjtit kishin kontaktuar një person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS e ku janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojit RPG (raketa hedhës), eksplozivë dhe armë të zjarrit.

Ergim Syla së bashku me Ardijan Gjurajn akuzohen se ishin përkujdesur për sigurimin e armëve e të njëjtat i kishin fshehur në një bure të plastikës duke i groposur 3,780 fishekë, 6 granata dore, 7 detonatorë të granatës, mitraloz me tri këmbë, një pushkë automatike AK-47 e armë të tjera të kalibrave të ndryshëm, raporton Kallxo.

Gjatë kontrollimit të policisë edhe në shtëpinë e Mentor Bellaqës ishte gjetur një arsenal armësh nga lloje të ndryshme.

Në po të njëjtën ditë, më datën 10.10.2021 në komunën e Gjakovës, gjatë tentimit për t`i pranuar-blerë një RPG, 8 predha të murtajës së dorës, një pajise optike për zmadhim (dylbi) e RPG-së, e me rastin e implementimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit e blerjes së simuluar prej të pandehurit Shkodran Krasniqi, nën përcjellje të tij ishin edhe Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa me automjetin e markës Golf V kanë ikur nga vend i ngjarjes dhe më pas të gjithë të pandehurit arrestohen.

Tutje të pandehurit Ergim Syla dhe Ardijan Gjuraj për veprat e lartcekura akuzohen edhe për mbajtje e kontroll të paautorizuar të armëve.

Për mbajtje të paautorizuar akuzohet edhe Mentor Bellaqa.

Kurse Ardijan Gjuraj akuzohet se ka kryer veprën penale moslajmërim i përgatitjes së veprës penale pasi që nga tetori i vitit 2020 e deri më datën 02.11.2022 kishte qenë në dijeni se i pandehuri (tashmë i ndjeri K. F.) ishte duke përgatitur vepra penale terroriste dhe me të kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me të ndjerin përmes rrjetit social “Instagram”.

Për këtë vepër i njëjti u lirua nga akuzat.

I akuzuari Nehrudin Skenderi akuzohet se kishte financuar Shkodran Krasniqin në shumën prej 2 mijë euro me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit e me të cilat do të kryheshin veprat penale terroriste.

Kështu vetëm Nehrudin Skenderi akuzohet për veprën penale lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizimit./