Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se “shëndetësia ka qenë çdo vit prioritet i buxhetimit të qeverisë”, ndërsa shtoi se vitin e ardhshëm do të nisin “transformimin” e këtij sektori, duke premtuar edhe “sigurimet shëndetësore”.
Vitia tha në seancën plenare të Kuvendit në shqyrtimin e parë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024, se janë buxhetuar “pikat më nevralgjike që hedhin themelet e transformimit të gjithëmbarshëm të sektorit të shëndetësisë”.
“Lista esenciale është pa dyshim çështja kryesore dhe që po shkon drejt stabilizimit dhe reduktimit maksimal të mungesave dhe kjo në të tria nivelet e shëndetësisë. Dhe do të vijojë si e tillë”, tha ai.
Vitia foli edhe për sigurimet shëndetësore.
“Kemi buxhetuar, pas një pune shumë të madhe, edhe sistemin informativ shëndetësor. Ky projekt shënon edhe hapin e parë, po e përsëris, hapin e parë për themelimin e sigurimeve shëndetësore”, tha ai.
“Tash po fillojmë qysh duhet me fillu, me analizë të plotë sepse nuk ka kthim prapa. Sigurimet shëndetësore do të bëhen nga kjo qeveri. Kemi me pa sepse këtu jemi gjatë”, tha ministri.
Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm në sektorin e shëndetësisë është 345 milionë e 626 mijë euro.