Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk ka për çka të flitet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Këto komente ai i bëri gjatë qëndrimit në Forumin e Paqes në Paris.
“Nuk ka pasur nisma për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Nuk di çfarë të flas. Ai zgjodhi se me cilët përfaqësues të Bosnjës dhe Hercegovinës do të takohej, kështu që pyes veten se çfarë parimesh hipokrite janë këto për respektimin e integritetit territorial”, u tha gazetarëve Vuçiq, shkruan Danas.
Sipas tij, për të gjithë në Perëndim është e qartë se Kurti nuk dëshiron ta formojë Asociacionin.
“Mendoj se e kanë të qartë të gjithëve se Kurti nuk dëshiron ta formojë Asociacionin, nuk dëshiron përparim në dialog dhe se gjithçka tjetër ishte marifete ballkanike që funksionuan për një ose dy ditë. Për ne është e rëndësishme të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë, të ruajmë paqen, por nuk besoj se Asociacioni do të formohet ndonjëherë derisa Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, tha Vuçiq.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës, ai tha se nuk do ta njeh kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Por unë kam 11 vjet që dëgjoj gënjeshtra. Dhe shumë patriotë të rrejshëm më dhanë predikime dhe kurrë nuk më kërkuan falje”, tha Vuçiq.
Ai sonte në Pallatin Elysee do të ketë një takim me presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin do të diskutojë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç tha ai, Macron mund të vije para fundit të vitit në Beograd.