Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr,
Një rast i tillë u zbulua pas denoncimit se ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Banjë e Istogut.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pasi njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të cilat ishin në pronësi të shoferit që dyshohet se shkaktoi aksidentin.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është marrë dëshmia e një dëshmitari të rastit, i cili ka pohuar se 23-vjeçari ka shtënë disa herë me armë në ajër gjatë kohës që ishte duke drejtuar veturën e tij.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, por për shkak se ka rezultuar në gjendje të dehur pas alkooltestit, nuk ka qenë e mundur që të intervistohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet se ka kryer tri veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.