Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka theksuar se akuzat e Kosovës pas incidentit në Banjskë janë të pabaza dhe se përpjekja për ta paraqitur Serbinë si luftënxitëse është absurde.
E pyetur se si i komenton Rusia akuzat e autoriteteve të Kosovës ndaj Serbisë se qëndron pas incidenteve në Kosovë gjatë të cilave u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, Zakharova u përgjigj se lidershipi i Serbisë tashmë i ka komentuar gjerësisht ato akuza dhe me argumentet.
“Pas kësaj, nuk ka dyshim se akuzat e Prishtinës janë të pabaza. Dialogu shumëvjeçar i Brukselit për Kosovën ka treguar bindshëm se e vetmja palë konstruktive që përpiqet për një zgjidhje të civilizuar, paqësore, ligjore ishte dhe mbetet Beogradi”, tha Zaharova.
Sipas saj, BE-ja e ka diskredituar plotësisht veten si ndërmjetës.
“Dhe jo vetëm në Ballkan, por edhe në Armeni, për shembull. Ata premtuan të gjitha llojet e gjërave, por nuk bënë asgjë, përveç provokimeve që çuan në shpërthimin e situatës, e cila ishte e nevojshme dhe mund të zgjidhej në rrugë ligjore dhe në fushën politike duke marrë parasysh të gjitha specifikat historike të situatës. Prandaj çdo përpjekje për ta paraqitur Serbinë si luftënxitëse është absurde, është një gënjeshtër që synon diskreditimin e Beogradit, largimin e vëmendjes nga spastrimi etnik antiserb që është duke u nisur kundër serbëve në veri”, tha Zaharova.
Siç shtoi ajo, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ktheu në një normalitet të ri frikësimin dhe poshtërimin e popullatës joshqiptare.
“Pas fjalëve të tij të tmerrshme se serbët në Kosovë duhet të “vuajnë dhe të paguajnë”, dëshira e tyre për të mbrojtur shtëpitë, familjet, fëmijët, veten, kulturën dhe traditat nga shkatërrimi nuk duhet të jetë befasuese. Sa i përket pranisë ndërkombëtare në Kosovë nën kujdesin të NATO-s dhe BE-së, ata kurrë nuk kanë dashur dhe as synojnë ta përmbushin mandatin e tyre. Ata vetëm po e përkëdhelin Prishtinën siç kanë bërë gjithmonë”, tha Zaharova.