Armët dhe mjetet tjera të konfiskuara në Banjskë të Zveçanit, ku la të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, mund të përdorën për nevoja të organeve të rendit, vlerësojnë njohës të fushës. Për t’u përdorur këto armë, nuk është i nevojshëm përfundimi i epilogut gjyqësor, ndërsa për automjete e blinda, kërkohet përfundim i procesit.
Duke folur për sulmin terrorist të ndodhur të dielën në veri të vendit, ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, thotë se mund të përsëritet sërish. Kjo sipas tij do të bëhet deri në përfundim të dialogut me Serbinë.
Thotë se tendenca e Serbisë është shkëputja e veriut nga Kosova por që thotë se nuk do ta lejojnë organet e rendit dhe faktori ndërkombëtar.
“Mendoj që edhe në të ardhmen e afërme derisa nuk përfundon marrëveshja me Serbinë, organet e sigurisë së Serbisë pra do të përpiqen që të krijojnë situata të tilla krize në veri të vendit. Ata me çdo kusht do të tentojnë që të mos ketë marrëveshje dhe që pjesa veriore e vendit të shkëputet por ky plan i tyre i kamotshëm nuk do të realizohet duke iu falënderuar organeve tona të rendit dhe mbështetjes të fuqishme që kemi nga bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja”, thotë Veseli.
Duke folur për armatimin e konfiskuar në veri, Veseli i sheh të domosdoshme përdorimin e tyre. Ai këtë e sheh si “dhuratë” nga shteti serb. Këto mjete sipas tij vijnë nga Rashka.
“Kodi i Procedurës Penale i konsideron si prova materiale të këtij grupi terrorist, mirëpo unë shpresoj që gjykata tona ta përfundojë ato dhe ato mjete t’u jepen në shfrytëzim organeve të sigurisë. Shumë do të dëshiroja që ato automjete t’u jepen Policisë sonë, gjegjësisht Njësisë Speciale, ndërsa municioni dhe pajisjet tjera ushtarake t’i jepen FSK-së. Uniformat që i kishin t’u japim djemve të Njësisë Speciale si dhuratë nga shteti serb dhe nëse kanë edhe të tjera le t’i sjellin ne i pranojmë të gjitha. I tërë armatimi është i ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe burimin e ka nga Rashka”.
Ndërsa avokati i njohur, Ardian Bajraktari, thotë se për përdorimin e mjete luftarake, nuk është i nevojshëm përfundimi i procesit gjyqësor. Thotë se këtë ia lejon Kodi i Procedurës Penale.
“Në bazë të asaj që kemi parë në vendin e ngjarjes janë gjendur dy kategori të mjeteve, të cilat janë përdorur qoftë për kryerjen e veprave penale apo të ngjashme dhe në këtë drejtim janë kategoria e parë, mjete luftarake armë dhe pajisje tjera e të cilat mund të shfrytëzohen nga ana e institucioneve. Këtë e përcakton dispozitat respektive të Kodit të Procedurës Penale, madje këto armë mund të konfiskohen edhe pa pas nevojë të pritet epilogu i procesit gjyqësor, përkatësisht fajësia apo pafajësia e të pandehurve”, thotë Bajraktari, teksa për vetura e autoblinda, kërkohet përfundim i procesit.
“Ndërsa për të tjera mjete, duhet të pritet epilogu përfundimtar i procesit, në mënyrë që pastaj ato të mund të shfrytëzohen nga ana e institucioneve dhe këtë mundësi e mundëson po ashtu dispozitat e Kodit të Procedurës Penale me kërkesë të Prokurorit, të njëjtat mund të jepen në shfrytëzim Qeverisë dhe kjo e fundit vendos në lidhje me destinimin e këtyre mjeteve”, thotë tutje Bajraktari.