Nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet institucioneve profesionale dhe Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, projekti: Ruajtja e Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut, është përzgjedhur një nga 6 projektet nga rajoni i Evropës dhe Euro-Azisë, për tu financuar nga Fondi i Ambasadorit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Minstri Hajrulla Çeku së bashku me Ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Houvenier, sot kanë nënshkruar Memorandumin e bashkëfinancimit, i cili paraqet hapin e parë drejt ruajtjes dhe promovimit të Dresnikut si lokalitet i trashëgimisë kulturore me potencial për zhvillim të turizmit kulturor.
Nëpërmjet këtij fondi, në bashkëpunim me ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, do të zhvillohet dokumentimi dhe plani i menaxhimit dhe i konservimit të këtij lokaliteti. Ruajtja dhe menaxhimi adekuat i këtij lokaliteti do të mundësojë qasjen e publikut, ruajtjen e dëshmive materiale, përfshirë edhe mozaikun e jashtëzakonshëm, duke mundësuar kështu promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore për publikun vendor dhe vizitorët e huaj.
Krahas këtij bashkëpunimi të rëndësishëm, MKRS ka ndërmarrë hapat për sigurimin e qasjes për hulumtim dhe shfrytëzim të pronave ku gjendet lokaliteti, duke iniciuar procesin e shpronësimit të parcelave pranë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Shumë shpejt pritet finalizimi i elaborateve, dhe marrja e vendimit të parë në Qeveri për procedurën e shpronësimit.
Në këtë mënyrë po sigurohemi që asetet e trashëgimisë arkeologjike e kulturore të marrin vëmendjen e duhur, përmes mbështetjes financiare, ekspertizës shkencore profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.