Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen e policit të varë sot në orët e hershme të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit.
Në Facebook, Haradinaj tha Afrim Bunjaku ra sot si hero, në mbrojtje të paqes.
“Qëndrova për ngushëllim në familjen e policit të vrarë Afrim Bunjaku, i cili ashtu si heronjtë dikur në luftën për liri, ra hero në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Kosovës” – ka shkruar ai.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.