Treqind e dy ushtarë të rinj sot kanë dhënë betimin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ceremonia e diplomimit të rekrutëve të FSK-së, gjenerata 01-2023, është mbajtur në Kazermën “Skënderbeu”, në Ferizaj, ku edhe më të mirët janë vlerësuar me mirënjohje.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u ka thënë ushtarëve të rinj se uniforma që mbajnë, para se të jetë simbol i ushtrisë, “është identitet e trashëgim i brezave të tërë që kontribuuan e sakrifikuan për lirinë e Kosovës”.
Ai ka porositur ushtarët e rinj që ta prezantojnë në mënyrën më të mirë shtetin e Kosovës.
Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade, Jeton Dreshaj ka thënë se përgatitja dhe edukimi ushtarak i tyre, është një linjë vazhdimësie në zhvillimin dhe gatishmërinë e FSK-së.
E në fund me mirënjohje janë nderuar rekrutët dhe instruktorët më të dalluar./KP