Komuna e Klinës kishte hapur tenderin për furnizim me 1,900 metra kubë dru për ngrohje për shkolla, institucione shëndetësore dhe njësi të tjera në gusht të vitit 2022.
Edhe pse ky tender ishte hapur për furnizim me dru për dimrin e vitit 2022, ai është zvarritur dhe përfundimisht është anuluar gati një vit më vonë, saktësisht në korrik të vitit 2023.Për të njëjtat oferta të dorëzuara nga tri kompanitë ofertuese, Komuna e Klinës ka pasur dy vendime të ndryshme.
Fillimisht ka vendosur t’ia jap kontratën kompanisë me ofertën më të ulët, kompanisë “Aome Shpk” me ofertën në vlerë 132,973 euro.Por në dy proceset e rivlerësimit, ka vendosur ta anulojë tenderin me arsyetimin se të tri ofertat e kompanive, “Aome Shpk”, “NTP Acvilla” dhe “Bedi Com” janë të papërgjegjshme.
Procesi i parë i rivlerësimit erdhi pas aprovimit të kërkesës për rishqyrtim të njërës prej kompanive nga Komuna e Klinës kurse procesi i dytë i rivlerësimit erdhi pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Gjatë kohës sa tenderi po kalonte nga zyrat e Komunës së Klinës në ato të OSHP-së, në dhjetor të vitit 2022, Komuna e Klinës ka nënshkruar kontratë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me njërën nga kompanitë që kishte ofertuar edhe në tenderin e shpallur përmes procedurës së hapur.
Kompania “Aome Shpk” në tenderin e parë fillimisht ishte rekomanduar për kontratë por në dy proceset e rivlerësimit është eliminuar si e papërgjegjshme nga Komuna e Klinës.
Por e njëjta ka arritur të marrë kontratën ‘emergjente’ në vlerë 36 mijë euro për furnizim me dru për ngrohje.
Dy muaj pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë “Aome Shpk”, Komuna e Klinës përsëri ka shpallur tender përmes procedurës me kuotim të çmimit për furnizim me 140 metra kubë dru për ngrohje. Kontratë në vlerë 8,260 euro është nënshkruar me kompaninë “Gesi Gesa Shpk”.
Dy vendime të ndryshme për të njëjtat oferta
Tenderi “Furnizim me dru për ngrohje të objekteve të shkollave, në QKMF – AMF dhe njësive të tjera vartëse të AK” është shpallur përmes procedurës së hapur më 23 gusht 2022 ndërsa dy muaj më vonë Komuna e Klinës ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Aome Shpk” e cila e kishte ofertën në vlerë 132,973 euro apo 35 mijë euro më pas se vlera e parashikuar.
Ndërsa dy kompanitë e tjera që kanë ofertuar në këtë tender “NTP Acivilla” dhe “Bedi Com” janë eliminuar me arsyen e njëjtë.“Nuk keni paraqitur kontratat e kërkuara për realizim të kontratave dhe po ashtu nuk keni paraqitur kapacitetet e kërkuara financiare e as pajisjet e kërkuara sipas dosjes së tenderit” – thuhet në arsyetimin e Komunës së Klinës.
Të dy këto kompani kanë ofertuar me shuma më të larta se vlera e parashikuar, “NTP Acivilla” ka ofertuar me 180,481 euro apo 12,481 euro më shumë se vlera e parashikuar ndërsa “Bedi Com” ka ofertuar me vlerën 186,198 euro apo 18,198 euro më shumë se vlera e parashikuar.
Ndaj vendimit të Komunës së Klinës, në të cilin e ka rekomanduar kompaninë “Aome Shpk” për kontratë ka dorëzuar kërkesë për rishqyrtim kompania “NTP Acivilla”.
Komuna e Klinës më 4 nëntor e ka pranuar pjesërisht kërkesën e “NTP Acivilla” dhe e ka kthyer në rivlerësim tenderin.
Pas rivlerësimit të ofertave, më 2 dhjetor 2022, Komuna e Klinës ka vendosur që ta anulojë tenderin me arsyetimin se asnjëra nga ofertat e dorëzuara nga kompanitë nuk është e përgjegjshme.Edhe pse fillimisht Komuna e Klinës e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Aome Shpk”, në rivlerësim e kishte eliminuar.
“Në ofertën tuaj, pajisjet nuk i keni konform kërkesave të dosjes së tenderit.
Pra janë kërkuar dy kamionë mbi 20, ky ka prezantuar vetëm një kamion, te cilit nuk i ka paraqitur as në listën e pajisjeve” – thuhet në vendimin e datës 2 dhjetor për anulim të tenderit.Dy kompanitë, “NTP Acivilla” dhe “Bedi Com” në procesin e rivlerësimit janë eliminuar me arsye të ndryshme nga hera e parë.
Ndryshe nga hera e parë, kompania “NTP Acivilla” është eliminuar me arsyetimin se pajisjet e prezantuara i ka me afat të skaduar të regjistrimit dhe jo konform kërkesave të dosjes së tenderit.
Ndërsa kompania “Bedi Com” është eliminuar sepse ofertë “nuk ka paraqitur qarkullimin financiar, kontrata për natyrën e njëjtë të punës, pajisjet sipas kërkesës së dosjes së tenderit”
.Ndaj vendimit të Komunës së Klinës për anulim të tenderit është ankuar përmes “Kërkesës për Rishqyrtim” kompania “Bedi Com” më 7 dhjetor 2022 por kjo ankesë është refuzuar nga Autoriteti Kontraktues dy ditë më vonë, më 9 dhjetor 2022.
Pas refuzimit të ankesës nga Komuna e Klinës, kompania “Bedi Com” ka vazhduar me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit të cilën e ka deponuar më 14 dhjetor 2022.
Vendimi i parë i OSHP-së – Kthimi në rivlerësimRreth tre muaj më vonë, Gjykata e Tenderëve e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kompanisë “Bedi Com” dhe e ka kthyer në rivlerësim tenderin për furnizim me dru të Komunës së Klinës.
Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se Komuna e Klinës ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit, saktësisht të nenit 59 [Ekzaminimi, Vlerësimi dhe Krahasimi i Tenderëve] dhe 72 [Dokumentacioni dhe informacioni shtesë] si dhe të nenit 59 të RRUOPP-së
Kurse në rastin e rivlerësimit kërkohet që AK të veprojë në harmoni të plotë me nenin 59 të LPP-së i cili parasheh mes tjerash se ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e ofertave, AK duhet ta bëj duke u bazuar në kritere dhe kërkesat eksplicite të dosjes së tenderit” – thuhet në vendimin e OSHP-së.
Por, Paneli Shqyrtues i OSHP-së kanë konsideruar se Komuna e Klinës por as eksperti shqyrtues nuk kanë ofruar prova dhe arsyetim bindës lidhur me faktin se çka konkretisht ka ofruar kompania ankuese në lidhje me kërkesën e Komunës së Klinës në lidhje me pikat 9.1 dhe 9.2 të Dosjes së Tenderit – Kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale.“AK cek, cituar “nuk keni ofruar pajisje sipas dosjes së tenderit”.
Paneli konsideron se në raste të tilla secili AK ka detyrim t’i ofrojë palës arsyet (fakte dhe prova konkrete) mbi bazën e të cilave pse një kërkesë apo oferta në rastin konkret është refuzuar” – potencohet në vendimin e Panelit Shqyrtues të OSHP-së.
Më tej Paneli ka theksuar se formulimi i shkruar nga Komuna e Klinës nuk i plotëson kushtet e aktit administrativ siç kërkohet me ligj dhe kjo i ka dhënë bazë të mjaftueshme kompanisë ankuese që të ankohet ndaj vendimit të saj.
Anulimi i tenderit për herë të dytëPas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, rreth më shumë se dy muaj më vonë, më 16 maj 2023, Komuna e Klinës i ka rivlerësuar përsëri tri ofertat e dorëzuara.
Por vendimi nuk ka ndryshuar nga hera e fundit, ata përsëri kanë vendosur ta anulojnë tenderin me arsyetimin se asnjë nga ofertat e dorëzuara nuk është e përgjegjshme.
Kompania “Aome Shpk” është eliminuar me arsyetimin se i mungojnë kamionët sipas kërkesës së dosjes së tenderit ndërsa kompania “NTP Acivilla” është eliminuar me arsyetimin se në fazën e rivlerësimit nuk kanë sjellë vazhdimin e validitetit dhe sigurimin.Kompania “Bedi Com” e cila ka ofertuar mbi 18 mijë euro mbi vlerën e parashikuar është eliminuar me arsyetimin se oferta e tyre e tejkalon vlerën e planifikuar për këtë tender.
Nuk kemi aprovim nga njësia kërkuese” – thuhet në arsyetimin e Komunës së Klinës.
.Në raportin e vlerësimit në të cilin ka siguruar qasje BIRN, Komisioni i përbërë nga Liridon Gashi, Arbër Raci dhe Driton Berisha, është potencuar se vetëm kompania “Bedi Com” ka dorëzuar dokumentacion të përgjegjshëm.
Por çmimin e ka mbi planifikim” – theksohet në deklaratën e Komisionit të vlerësimit.
Ndaj këtij vendimi përsëri është ankuar kompania “Bedi Com”, të cilët më 20 maj 2023 kanë dorëzuar kërkesë për rishqyrtim në Komunën e Klinës.
Edhe kësaj here Komuna e Klinës më 23 maj 2023 ka vendosur që t’ia refuzojë kërkesën për rishqyrtim kompanisë “Bedi Com” si të pabazuar.
Vendimi i dytë i OSHP-së – Ankesa e pasafatshmeKompania “Bedi Com” nuk ka hequr dorë dhe përsëri ka vazhduar me dorëzim të ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit, e cila mban datën 2 qershor 2023.
Kompania “Bedi Com” është ankuar në OSHP me pretendimet se procesi i rivlerësimit në Komunën e Klinës është bërë vetëm formalisht, pa i konsideruar ndryshimet në çmim të tregut për një metër dru.
“Kjo dëshmohet edhe ka tendenca të vazhdueshme e zyrtarit të prokurimit për ta eliminuar nga konkurrenca operatorin ekonomik “Bedi Com”” – thuhet ndër të tjera në ankesë.
Në ankesë thuhet po ashtu se vlera e parashikuar e Komunës së Klinës për një metër dru është 70 euro ndërsa kompania që fillimisht ishte propozuar për kontratë, kishte ofertuar më 95 euro për një metër dru.
Por kësaj here, Paneli Shqyrtues i OSHP-së e ka hedhur ankesën e “Bedi Com” si të jashtafatshme duke lënë në fuqi vendimin e Komunës së Klinës për anulim të tenderit.
Në vendimin e OSHP-së potencohet se sipas Ligjit të Prokurimit ankesa në OSHP duhet të dorëzohet brenda 10 ditëve pas vendimit të lëshuar nga Autoriteti Kontraktues.
“Që rrjedhimisht i bie brenda orarit të rregullt të punës së datës 2 qershor 2023. Afatet kohore të këtij ligji duhet të fillojnë në një ditë pune dhe të përfundojnë në një ditë pune.
Afati kohor i shkon deri në 16:00 në ditën e skadimit. Autoriteti Kontraktues mund të vendos që të caktojë kohë tjetër me kusht që ai është jo më herët se në ora 12:00 të ditës së skadimit” – theksohet në vendim.
Përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Bedi Com”, Avni Murtezi, ka thënë se ankesa e tyre është hedhur si e pasafatshme për shkak se është dërguar pas orës 16:00, kur përfundon orari i punës.
“Unë me sa e di deri në orën 12 të datës përkatëse ne kemi të drejtë me dorëzu dokumente, ata kanë thënë deri në orën 4. Nëse është në sistemin elektronik unë nuk e di që ka nevojë me qenë deri në orën 4” – ka thënë Murtezi për BIRN.
Në tenderin i cili ishte shpallur përmes procedurës së hapur për furnizim me 1900 metra kub, Komuna e Klinës kishte kërkuar që drutë duhet të jenë të cilësisë së lartë, Bung apo Qarr, me diametër jo më të vogël se 100 mm dhe jo të madh 500 mm.
Në tender është kërkuar që kompania fituese të bëj edhe transportin dhe prerjen e tyre.“Drutë duhet të maten në tokë para se të pranohen nga organi mbikëqyrës” – thuhet në tabelën e paramasave të tenderit.
Po ashtu, Komuna e Klinës ka kërkuar që kompania fituese duhet të mbajë përgjegjësi në lidhje me prejardhjen e druve me dëshmi nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës gjatë furnizimit si dhe për cilësi të druve të matura me njësinë metër kub, me trashësi minimumi FI20 dhe maksimumi FI50.
Tenderi ‘emergjent’ nënshkruhet me kompaninë e eliminuarDerisa tenderi që ishte hapur në procedurë të hapur po endej nga zyrat e Komunës së Klinës në OSHP pas ankesës së kompanisë “Bedi Com”, Komuna e Klinës në anën tjetër më 21 dhjetor 2022 ka nënshkruar një kontratë tjetër për furnizim me dru për ngrohje.
Kontrata në vlerë 36 mijë euro është nënshkruar përmes procedurës së negocuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Kontrata me kompaninë “Aome Shpk” është nënshkruar për 14 mijë euro më pak se sa vlera e parashikuar për këtë tender.Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Aome Shpk”, e cila fillimisht ishte rekomanduar për kontratë e pas rivlerësimit ishte eliminuar si e papërgjegjshme dy herë në tenderin e shpallur përmes procedurës së hapur.
Më pak se dy muaj më vonë, më 16 shkurt 2023, Komuna e Klinës ka hapur përsëri tender për furnizim me 140 metra kubë dru, për ngrohje të objekteve shkollore dhe njësive të tjera të AK-së.
Tenderi për të cilin ishin parashikuar të shpenzoheshin 9,999 euro ishte shpallur përmes procedurës me kuotim.Më 9 mars 2023, Komuna e Klinës ka nënshkruar kontratën në vlerë 8,260 euro me “Gesi Gesa Shpk”.
Edhe në vitin 2023, Komuna e Klinës ka shpallur tender për furnizim me dru për ngrohje për shkolla, institucione shëndetësore dhe njësi të tjera vartëse.
Përmes tenderit i cili është shpallur më 18 korrik janë kërkuar 1400 metra kubë dru derisa vlera e parashikuar për këtë tender është 95 mijë euro, apo 67.8 euro për metër kub.
Ndërsa, vitin e kaluar kishte planifikuar 88.4 euro për një metër kub dru, pasi i kishte ndarë 168 mijë euro për 1,900 metra kubë dru apo 88.4 euro për metër kubKomuna e Klinës përsëri e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Aome Shpk”, e cila ka ofertuar në vlerë 74,200 euro apo 21,200 më pak se vlera e parashikuar.
Kompania “Aome Shpk” ka dorëzuar ofertën më të lirë nga pesë kompanitë që kanë ofertuar në këtë tender.
Katër kompanitë e tjera kanë ofertuar nga 88 mijë deri në 103 mijë euro.Ky artikull është shkruar nga Vlera Shabani përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës.
Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.DRU