Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të shumta ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga bashkëshortët, apo edhe anëtarët e tjerë të familjes. Konfliktet mes tyre nuk përfundojnë as me denoncimin e rasteve dhe për pasojë futen në telashe edhe me Policinë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ku Policia ka intervenuar në një rast të dhunës në familje, ky dyshohet se ishin përfshirë një çift bashkëshortor, të cilët përfunduan të dy në stacion si të dyshuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se posa njësia policore kishte shkuar te banesa e të dyshuarve, kishin gjetur të gjakosur burrin që dyshohej për dhunë dhe gruan e tij, e cila tentoi t’i sulmojë zyrtarët policorë.
Siç merr vesh Sinjali, pasi Policia ka urdhëruar që i dyshuari të shoqërohet, janë përballur me bashkëshorten e tij, e cila dyshohet se me një thikë iu është vërsulur policëve, por fatmirësisht nuk i ka goditur.
Ndërhyrja e zyrtarëve policorë ka qenë menjëhershme për ta vënë situatë nën kontroll, me ç’rast dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Ndaj burrit të dyshuar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, ndërsa edhe ndaj gruas së tij është nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve për dy vepra penale “Dhunë në familje” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
/GazetaSinjali/