Nesër vazhdon gjykimi ndaj liderëve të UÇK-së

Pas më shumë se dy jave pushime të verës, nesër (e hënë) në Dhomat e Specializuara të Hagës do të vazhdojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Deri më tash në rastin e krerëve të UÇK-së janë dëgjuar 15 dëshmitarë që nga muaji prill kur ka nisur gjykimi. Nesër pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të 16-të.

Tashmë, Prokuroria e ka dorëzuar listën me dëshmitë e dëshmitarëve të radhës, dhe atyre rezervë që planifikon t’i ftojë për të dhënë dëshmi.

Procesi ndaj krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill, dhe 15 dëshmitarët e parë u dëgjuan deri kah fundi i këtij muaji. Pra në total, katër muaj për 15 dëshmitarët e parë.

Nëse prokuroria qëndron prapa deklaratave të saj për dëgjimin e 300 dëshmitarëve në këtë proces, atëherë i bie që gjykimi në rastin kryesor të Speciales të shkojë deri në gjashtë vjet e 8 muaj. Duke llogaritur këtu edhe kohën që Thaçi e të tjerët janë në paraburgim, atëherë krerëve të UÇK-së i bie të qëndrojnë rreth 10 vjet në Qendrën e Paraburgimit.

Megjithatë, edhe nëse prokuroria i largon një numër dëshmitarësh, gjykimi pritet të jetë i gjatë. Nëse Prokuroria e Specializuar i thërret për të dëshmuar 240 dëshmitarë, atëherë i bie 64 muaj. Kthyer në periudhë vjetore, 5 vjet e katër muaj.

Nëse ulet edhe më shumë numri i dëshmitarëve në 150, atëherë procesi gjyqësor në Hagë mund të përfundojë për 40 muaj, apo 3 vjet e katër muaj.

Por, cili ishte roli dhe cila pritet të jetë dëshmia e këtyre dëshmitarëve?

Një dëshmitar me shifrën “W04586” flet direkt për një rrëmbim duke pretenduar se arsyeja ishte përkrahja e tij për LDK-në edhe pse nuk ishin aktivë në politikë. Sipas këtij dëshmitari, ai dhe familja e tij u ndaluan në një pikë kontrolli, dhe atë e akuzuan se i takon një familje spiunësh. Në këtë ndalesë, u mor njëri nga anëtarët e familjes së tij. Sipas dëshmitarit, mbetjet e familjarit që u ndalua u identifikuan në vitin 2005. Sipas këtij dëshmitari, edhe në raste të tjera ushtarët e UCK-së i kishin shkuar në shtëpi duke i akuzuar për spiunë, raporton “Nacionale”.

Një dëshmitar tjetër me shifrën “W0382” pritet të dëshmojë për një ndalim që ia kanë bërë disa ushtarë të UÇK-së. Përderisa anëtarët e familjes së tij i lejuan të largohen, atë personalisht e kishin ndaluar me arsyetimin se disa struktura të UÇK-së po duan të bisedojnë me të. Ky dëshmitar e kishte përmendur me emër edhe Hashim Thaçin. Në dokumentet e prokurorisë është thënë se ky dëshmitar në një moment ka parë disa tensione ndërmjet disa anëtarëve të LDK-së dhe UÇK-së.

Kurse një tjetër dëshmitar tjetër sekret me shifrën “W03880” në dëshminë e tij pretendon se ishte ndaluar nga ushtarë të UÇK-së, me arsyetimin se nuk kishte marrë autorizimin e duhur për të hyrë në territorin e kontrolluar nga UÇK-ja. Ai pretendon të jetë sulmuar nga një ushtar. Ai kishte rrëfyer se janë mbajtur me sy të mbyllur dhe ishin goditur me shkelma.

 

E dëshmitari me shifrën “W004769” ka thënë se kishte udhëtuar disa herë në Shqipëri për të mbledhur armë, dhe u kthye në Kosovë ku po i monitoronte pozicionet e forcave serbe. Pra, që nënkuptohet se mund të ketë qenë pjesëtar i UÇK-së. Ky dëshmitar ka përmendur një takim që ka pasur me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Prokuroria ka thënë se ky dëshmitar është në dijeni të strukturës komanduese të UÇK-së, punës së brigadave, gjykatës ushtarake. Pra, ky dëshmitar pritet të përdoret nga Prokuroria për ta paraqitur UÇK-në si ushtri të organizuar mirë.

Ngjashëm është edhe çështja e dëshmitarit “W03724”. Edhe ky pretendohet të ketë pasur një rol në kohën e luftës. Ai ka pasur dijeni të qarta për organizimin e UÇK-së. Sipas dokumentit, ky dëshmitar ka tentuar të marrë informacione për zhdukjen e Ymer Xhafiqit. Ai e ka përmendur Ekrem Rexhën e njohur si komandant “Drini” dhe një bisedë të tij me shefin e OSBE-së lidhur me zhdukjen e Xhafiqit.

Një tjetër dëshmitar del të jetë serb. Ai me shifrën “W00072” ka treguar se si një grua serbe, burri e djali dhe anëtarë të tjerë serbë ishin sulmuar në shtëpinë e tyre nga ushtarë të UCK-së. Sipas kësaj dëshmitareje, ata ishin mbajtur në një vend ndaras nga burrat. Ajo ka treguar se burrin e saj e ka parë vetëm një herë. Sipas saj, bashkëshorti kishte pasur mavijosje në fytyrë.

Dëshmitari me shifrën “W1054” ka pretenduar të jetë rrëmbyer nga ushtarë të UÇK-së dhe është dërguar në bodruimin e një ndërtese. Ai ka thënë se janë mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe në kushte të këqija. Sipas tij, kur hanin ushqim kishin probleme si pasojë e gjakut. Në këtë vend, dëshmitari pretendon ta ketë parë Fatmir Limajn dhe Tahir Sinanin.

Një dëshmitar “W02153” pritet të jetë ish-oficer i ushtrisë së Britanisë. Ai del të ketë hetuar rastet e personave të ndaluar nga UÇK-ja në Rahovec. Ky pretendon se dikush i kishte thënë se udhëheqës i një qendre të paraburgimit ishte Jakup Krasniqi. Ai ka pretenduar të ketë pasur informacione për Nexhmi Krasniqin dhe Elmi Krasniqin që ishin marrë në pyetje pasi nuk ishin përkrahës të UÇK-së. Ky oficer ka thënë se ka biseduar disa herë me Sabahajdin Cenën për këta persona të zhdukur.

Dëshmitari me shifrën “W04368” ka pretenduar se ishte rrëmbyer nga ushtarë të UÇK-së pasi e akuzonin për spihun. Ai ka përmendur disa emra të ushtarakëve por të cilët Prokuroria nuk i ka bërë publik.

Këto janë vetëm përmbledhjet e pretendimeve të dëshmitarëve të ardhshëm në rastin e krerëve të UÇK-së. Nuk dihet nëse dëshmitë e tyre do të jenë publike në mënyrë që të sigurohet transparenca për qytetarët, pasi pjesa më e madhe e seancave deri më tash kanë qenë të mbyllura.