Dukagjini kalon në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës
Dukagjini i Klinës ka debutuar me sukses në garat evropiane për klube të futbollit.
Në paraqitjen e parë në gara kontinentale, Dukagjini e ka kaluar raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
E kaloi Europan e Gjibraltarin, duke e mposhtur në të dy ndeshjet.
Pas fitores 2:1 në Prishtinë një javë më parë, Dukagjini të enjten fitoi 3:2 në Gjibraltar.
Ndeshja ishte plot momente interesante, ndërsa festa në fund u takoi lojtarëve të skuadrës nga Klina. Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 23-të.
Iljasa Zulfiu realizoi nga pika e bardhë për 1:0.
Vendasit e barazuan rezultatin në 1:1 në minutën e 38-të.
Po nga pika e bardhë shënoi Alberto Quintana.
Me të nisur pjesa e dytë, skuadra kosovare ktheu avantazhin.
Arbër Shala shënoi për 2:1 në minutën e 47-të.
Zulfiu, që kishte shënuar golin e fitores në ndeshjen e parë, shkëlqeu edhe në minutën e 79-të.
Shënoi për epërsinë 3:1 të Dukagjinit.
Rezultatin 3:2, Europa e vendosi në minutën e 87-të.
Realizator ishte rezervisti Antonio Vera.
Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Dukagjini takohet me Rijekën e Kroacisë.
Ndeshja në Gjibraltar ishte goxha e tensionuar.
Europa e përfundoi ndeshjen me dy lojtarë më pak, për shkak të kartonëve të kuq.
Karton të kuq mori edhe Bujar Shabani i Dukagjinit.
Lojtarët e Dukagjinit morën edhe pesë kartonë të verdhë. Por nga Gjibraltari i largët kthehen si fitues