Dukagjini i Klinës është nisur të martën mbrëma për në Gjibraltarin e largët. Të mërkurën në mesditë skuadra e Dukagjinit ka mbërritur në vendin me 32 mijë banorë.
Prej Gjibraltarit klinasit presin të kthehen me rezultat pozitiv, përkatësisht me biletë për në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Të enjten, prej orës 17:00, Dukagjini do ta zhvillojë ndeshjen kthyese të raundit të parë të Ligës së Konferencës kundër Europas. Ndeshja luhet në stadiumin “Victoria”.
Javën e kaluar në Prishtinë, Dukagjini fitoi ndaj skuadrës nga Gjibraltari me rezultatin 2:1.
Mesfushori Bujar Shabani ka bindjen se Dukagjini do ta kalojë raundin e parë kualifikues të garës së nivelit të tretë evropian. Shabani shënoi golin e parë në fitoren në “Fadil Vokrri”. Realizoi supergol me goditje nga distanca.
Ai pret ta ndihmojë Dukagjinin edhe me një gol tjetër.
“Fitorja e arritur në Prishtinë ka peshën e vet. Kemi përparësi ndaj kundërshtarit, të cilin e mposhtëm në ‘Fadil Vokrri’. Do të mundohemi të shënojmë edhe një gol, që besoj do ta mbyllte takimin, duke e ditur që kemi nivel më të lart se kundërshtari”, ka thënë Shabani për KOHËN.
Mesfushori me përvojë insiston se Dukagjini ka ekip më të mirë se Europa dhe se e meriton kalimin tutje.
“Jam shumë optimist se do ta kalojmë këtë raund të garave. Jemi më të mirë se kundërshtari në të gjitha aspektet. Por tash futboll dinë të luajnë të gjithë. Edhe ata do t’i provojnë mundësitë e veta”, ka theksuar Shabani.
Dukagjinin e pret punë e vështirë për avancim tutje, por hapin e madh e bëri të enjten e kaluar në Prishtinë. Fitorja, sipas Shabanit, është motiv shtesë.
“Kemi debutuar me fitore në Evropë dhe sigurisht se fitorja në Prishtinë është motiv. Premtojmë se do ta japim më të mirën për të avancuar tutje. Ky është edhe qëllimi ynë i përbashkët. Është hera e parë për klubin në garat ndërkombëtare dhe do të mundohemi të tregojmë paraqitje sa më të mirë për ta bërë krenar qytetin. Kemi kryer gjysmën e punës, tani na mbetet ta përfundojmë edhe gjysmën tjetër”.
Dukagjini siguroi garat evropiane nga pozita e katërt në Superligë dhe vetëm pasi fituesja e Kupës, Prishtina, nuk u licencua nga FFK-ja për garat e UEFA-s.
Në rast se e eliminon Europan, Dukagjini në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të përballet me Rijekën e Kroacisë. Është kundërshtare bindshëm më e fortë se Europa.
Golin e fitores në ndeshjen e parë e kishte shënuar Iljasa Zulfiu në minutën e 96-të. Trajneri Armend Dallku ishte i pakënaqur, me gjithë fitoren. Ai kishte vërejtje sidomos për golin e pranuar e që mund të jetë vendimtar.