SHËN ARBËR (Gjergj Kastriotit në 550-vjetorin e vdekjes)

SHËN ARBËR
(Gjergj Kastriotit në 550-vjetorin e vdekjes)

Në këtë stinë tërmetesh
në dheun e drejtpeshimit tim,
Ti, Shën Arbër, kumt i mirë për Arbërinë.

550 vjet pas, emrin tënd e thithim me ajër
dhe të ndiejmë tek na rrjedh nëpër gjak, Shën Arb.

Ende me dritën tënde e mund terrin e natës, Shën Arbër.
Me kroje Kruje bekoj lumin e jetës
që ma bart mbi shpinë varkën time
ngarkuar me dhimbjet, kujtimet
dhe me pak gjë tjetër nga kjo jetë, Shën Gjergj.

Nga Kruja i paskam këta lisa kaq të gjatë,
nga Kruja rrjedhin këto kroje që shërojnë plagë,
të Krujës i kam gurët dhe harqet e urës.

550 vjet pas, në dhimbjen e Kalabrisë,
në mallin arbëresh dhe në dhimbjen e Kosovës ti dhemb,
Kryezot i Arbërisë, Shën Gjergj.

Vetëm me ty në truallin tim ruaj emrin që unë të jem unë
dhe lart e ngre ballin e trupin tim, aq sa mund
me dhimbjen shekullore të vertebrës,
Imzot, Shën Arbër, rrënjë e rranjës.

550 vjet pas, nëpër Arbëri emri yt shumëzohet
djepave dhe këngëve si atëherë,
Kastriot, Skënderbe, Arbër, Gjergj.

Në këtë stinë tërmetesh
në dheun e drejtpeshimit tim,
Ti, Shën Arbër, kumt i mirë për Arbërinë.

(Njëra ndër poezitë e përzgjedhura për t’u lexuar
në manifestimin kulturor “Takimet e Gjeçovit” 2018)

ARBËRIA E VOGËL

Edhe sot ta lë në besë ty tërë qiellin tim gri,
t’i lë në besë krejt çka kam, të vdekur e të gjallë,
vetëm ty ta lë në besë tërë tokën time lulëzuar me varre,
Drenica ime, Drenicë, dhimbja ime e madhe.

Vetëm ty ta lë qiellin e ëndrrës peng
me gjithë zogj, me gjithë diell.

Gjithçka që kam e nuk kam ty ta fal e të falem,
fjala ime krismë, krisma ime e fjalës.

Te ti vij të vishem kur më lënë vishkull në ishull.

Vetëm me ty bëhem i lirë
përtej prangave dhe mashtrimit të lirisë,
vetëm ti ma mbush mungesën rreth sofrës
në këtë stinë ikjesh pa kthim,
Drenica ime, Drenicë.

Si ritmi i përjetshëm i zemrës,
si ritmi i orës, i ditës, i stinës,
si cikli kozmik përsëritet cikli yt, përsëritet,
dhe ia fal epokës Hasan Prishtinën,
ia fal epokës Azem Bejtën, Arbërinë e Vogël.

Ti lirinë nuk e vesh kur armiqtë ta presin ngushtë,
prandaj vishesh me këmishën e përhershme të luftës
Dhe epokës ia fal Shaban Palluzhën,
Kosovës ia fal Prekazin, Adem Jasharin.

Drenica ime me male e gurë shumë,
me pak lumenj, me pak ujë,
më i gjati lumë i gjakut tim,
hartave, operacioneve të rënda brinjëve të Arbërisë.

Etja ime e vjetër, mbetur ndezur në një ëndërr,
Drenica ime, Drenicë,
Arbëria ime e Vogël e Arbërisë.

(E vlerësuar me çmimin e parë në manifestimin letrar
“Vjeshta dhe vargjet” 2018, organizuar nga Art Club
“Rifat Kukaj”, Drenas)

KOKË E PRERË
Siluetë e tij me kokë të prerë
S’më lë të zgjohem nga gjumi ynë i rëndë
S’më lë të fle siç kam flerë
S’më hiqet nga koka
S’largohet nga Atdheu siluetë e tij me kokë të prerë.

Kur e takoj nëpër dhiare lart mbi male
Ma marrin orët gojën, çoç nuk mund t’i them
Luanit të Epirit, Aliut të Tepelenës, atij Pashe,
Trimit që Padishahun në Stamboll e çoi peshë,
Mizorit që grave të Sulit u bëri gjëmën,
Oh, ç’gjëmë ishte ajo, gjëmë e zezë, për besë.

Ende nga malet e Zallongut në vesh më vjen e më vret ajo suferinë,
Ata hapa shkëmb të rëndë që i dhanë emër valles së vdekjes,
Lebetitjet e nënave që të vdisnin nuk donin në fund të honit
Pa i dhënë edhe një herë gji engjëllit të tyre, të voglit.

Ç’na bëri Aliu e ç’i bëmë ne atij?
Cili shenjtor ka varrin në dy kontinente?
As më thua Arbëri?

I thamë trim, mizor e i thamë dinak atij,
Po cili ishte rebel e kryengritës si ai?

Sulltan Mahmuti i Dytë kokën në pjatë ia donte
Si mbreti Herod kokën e Gjon Pagëzorit,
Aliu ishte kryengritja, ishte Rilindja,
Koka e tij e prerë- ogur i zi i Kombit.