Qeveria Gjermane ka konfirmuar se ka vendosur të zvogëlojë bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë sektorin e sigurisë, pas dështimit të Qeverisë së Kosovës për të deeskaluar situatën në veri. Një vendim i tillë, vjen në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian, rrjedhimisht, 27 vendeve anëtare të tij.
Ambasada Gjermane në Kosovë ka konfirmuar se ka vendosur ta zvogëlojë bashkëpunimin me Kosovën – përkohësisht.
“…lidhur me këtë BE-ja paralajmëroi masa për kufizimin e bashkëpunimit me Kosovën në fusha të ndryshme në rast se qeveria e Kosovës nuk do të merrte masat përkatëse për deeskalim. Në përputhje me këto politika, edhe Qeveria gjermane ka vendosur të zvogëlojë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë edhe sektorin e sigurisë.” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Të gjitha projektet e anuluara, Ambasada Gjermane ka thënë se mund të fillohen, pas deeskalimit në veri dhe “masave të nevojshme” për ta qetësuar situatën atje.
“Megjithatë, të gjitha këto projekte mund të rifillohen në çdo kohë. Kjo kërkon zbatimin urgjent të masave të nevojshme për deskalimin e situatës në komunat veriore. Gjermania mbështet në mënyrë eksplicite përpjekjet e BE-së, punën e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak, si dhe Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” – është thënë tutje në përgjigjen e tyre për Nacionale.
Ndërkohë, portali “Vëzhguesi” ka raportuar se si pjesë e këtyre masave, disa oficerëve të FSK-së që parashihej të mbanin trajnime në Gjermani, të njëjtat u janë anuluar. Por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.
Masat po zbatohen
Gjatë ditës së sotme, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë masat e BE-së ndaj Kosovës, tashmë po zbatohen.
Ai ka përmendur thirrjen e 27 vendeve anëtare të BE-së se në rast të deeskalimit të situatës, “do të ketë pasoja negative”.
“Më 3 qershor, 27 shtetet anëtare të BE-së i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të pakushtëzuara për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës, ose ndryshe do të përballen me pasoja negative.” – u shpreh ai.
Tutje, Stano tha se për shkak të mungesës së veprimeve vendimtare de-përshkallëzuese nga Kosova, BE-ja tashmë po zbaton masa në lidhje me Kosovën. Ato do të kthehen mbrapsht sapo Kosova të bëjë pjesën e saj.
BE-ja përjashton Kosovën nga grantet e Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor
Radio Evropa e Lirë raporton se Kosova, Mali i Zi dhe Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, janë përjashtuar nga grantet e Bashkimit Evropian për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.
Sipas këtij raportimi, shtetet tjera si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veritu dhe Bosnja e Hercegovina, kanë përfituar nga këto investime.
Gjithsej vlera e këtij projekti, është 2.1 miliardë euro.
Ky medium raporton se Kosova ka mbetur jashtë këtij granti, pikërisht për shkak të masave që BE-ja vendosi në fund të qershorit, pas situatës së krijuar në veri dhe dështimit për shtensionim.
Tutje thuhet se Kosova kishte aplikuar për dy grante investuese dhe katër grante të asistencës teknike, derisa bëhet e ditur se vendi ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2008.
Po ashtu, 30 projekte në Kosovë ishin mbështetur nga i njëjti, me një vlerë prej 1.8 miliardë eurosh.
Kosova parashihej që për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizmi të përfundoheshin projekte si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.