Qeveria e Kosovës, i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.
Kryeministri Albin Kurti, ka përmendur veprimet e ndërmarra nga këto grupe, si sulmet ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve të tjerë, veprime të cilat i ka konsideruar kërcënim për rendin juridik e kushtetues të vendit.
“Sulmet ndaj qytetarëve e ushtarëve të KFOR-it, shkaktimi i rrezikshëm ndaj pronës publike e private, detyrimi në marrjen pjesë në protesta të dhunshme, janë veprimet e ndërmarra nga këto grupe”.
“Rendi kushtetues e juridik është i pakompromis dhe duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste”.
“Niveli i rrezikut prej tyre është i lartë dhe institucionet janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve dhe parandalimit të pasojave”, ka thënë Kurti.