Mosmarrëveshjet për borxh shumë herë kanë përfunduar në përleshje, kanosje serioze e madje edhe tragjikisht. Një rast i tillë ka ndodhur sot në fshatin Llugë të Lipjanit, ku një person është sulmuar me thikë dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore,
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se dy vëllezërit, Nexhmedin dhe Rrahim Sekiraqa po dyshohet se kanë shkuar në shtëpinë e familjes Qeriqi në fshatin Llugë për shkak të një borxhi.
Dy të dyshuarit kanë pasur fillimisht një mosmarrëveshje momentale me vëllezërit Qeriqi, për shkak të një borxhi që këta të fundit ua kishin familjes Sekiraqa.
Debati eskaloi në përdorimin e thikës, ku dy të dyshuarit i sulmuan me thikë dy vëllezërit Qeriqi.
Si pasojë e plagëve, viktimat janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, kurse njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes
Në anën tjetër, të dyshuarit tashmë ndodhen në arrati dhe po kërkohen nga Policia.
Ndaj tyre, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e tyre.