Ka katër ditë prej që aparati i Rezonancës Magnetike (MRI) në Spitalin e Pejës nuk është në funksion.
Kjo, jo për shkak të ndonjë defekti të aparaturës, por për shkak të telasheve me rrymën që ka objekti, raporton Klan Kosova.
Drejtori Mjekësor i Spitalit të Pejës, Besnik Ibraj, tregon se e kanë shkyçur për shkaqe sigurie, në mënyrë që pajisja e shtrenjtë që shërben për diagnostikim më të avancuar të mos dëmtohet, ani se nuk ka shumë muaj prej që aparati i MRI-së është përuruar dhe funksionalizuar, gjegjësisht në fund të muajit shkurt.
Megjithatë, Ibraj shton se menjëherë e kanë njoftuar kompaninë e mirëmbajtjes dhe besojnë se javën e ardhshme Rezonanca Magnetike hyn në punë.
Si shkak i krejt kësaj, të paktën 24 veta që kishin termine pas të hënës së kësaj jave mbetën pa e marrë këtë shërbim, derisa të njëjtit janë njoftuar përmes telefonit se terminet do t’u shtyhen.
Spitali i Pejës është institucioni i dytë spitalor në vend që është pajisur me MRI, ku pacientët që e kërkojnë këtë diagnostikë nuk janë vetëm nga rajoni i Dukagjinit. Deri më tani janë realizuar mbi 500 të tilla.
Aktualisht lista e pritjes është deri në dy muaj.