Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet në Serbi, deri në lirimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë rrëmbyer nga autoritetet serbe, pasi sipas tij, pa lirimin e tyre nuk mund të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe as deeskalim të situatën në pjesën veriore të Kosovës, e cila siç tha po degradon çdo ditë.
Sipas tij, pa lirimin e tre policëve kosovar nuk do të ketë asnjë marrëdhënie tjetër me Serbinë dhe as nuk mund të diskutohet për çështje të tjera me Serbinë
Rama përmes një konference për medie ka bërë të ditur se tashmë ka nisur edhe një letër për presidentin francez, Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Schols, si dhe Këshillin Evropian, përmes të cilës letër e ka shprehur domosdoshmërinë për një shtysë të re nga këto vende për zbatimin e planit franko-gjerman.
Kryeministri shqiptar theksoi se mbajtja e tre efektivëve të Kosovës në burg nga shteti serb, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme.
“Për sa kohë tre efektivët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në burg në Serbi, nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo deeskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi. Madje nuk mund të ketë as normalitet në marrëdhëniet në mes Shqipërisë e Serbisë për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim…mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Ndërsa, pastaj përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejt të tre policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër, duke ngritur zërin për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minoritetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese”, u shpreh Rama.
Rama ka njoftuar se pardje ka nisur një letër të dytë për presidentin francez, Emanuel Macron e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel përmes së cilës ka kërkuar zbatim të planit franko-gjerman.