Faton Klinaku që aktualisht është ushtrues detyre i kryetarit në OVL UÇK, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti pas situatës së fundit të krijuar në Veri.
Klinaku ka ironizuar me kryeministrin Kurti, duke thënë se të gjithë i kanë faj atij, madje edhe Hashim Thaçi në burg.
Sipas Klinakut, Kurti po mundohet ta mashtrojë publikun duke mos i treguar se Kosova është shtet mbi bazën e pakos së Ahtisaarit e që edhe ai është kryeministër i saj.
Ndër të tjerash, Klinaku thotë se Serbia nuk i frikësohet një kryeministri përçarës dhe shkelës i shtresave të ndryshme të shoqërisë dhe ka rrezik që edhe në rast të luftës, atij nuk i besojnë ata që do të luftojnë.
Klinaku i ka bërë thirrje Kurtit që të lëshojë rrugë e të zgjedhet një kryeministër i unitetit, pasi – sipas tij – atëherë do të shihet se a do të frikësohet Serbia apo jo.
Postimi i plotë:
1. Të gjithë t’kanë faj ty, e edhe Thaçi në burg, e mundohesh ta mashtrosh publikun duke mos i treguar se Kosova është shtet mbi bazën e pakos së Ahtisaarit e që edhe ti je kryeministër i saj;
2. Po t’ishe serioz, mbledhje e Këshillit të Sigurisë bëhet me tjetër format, ose së paku informohen edhe të tjerët për këtë;
3. Serbia nuk i frikësohet një kryeministri përçarës dhe shkelës i shtresave të ndryshme të shoqërisë;
4. Ka rrezik që edhe në rast të luftës, ty nuk të besojnë ata që do të luftojnë;
5. Lësho rrugë e të zgjedhet një kryeministër i unitetit, e pastaj e sheh ti se a frikësohet Serbia.