Forcat speciale turke mbërrijnë në Kosovë për të ndihmuar KFOR-in

Një batalion komando turk i kërkuar nga NATO ka mbërritur në Kosovë, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë së fundmi në katër komunat veriore, shkruan Associated Press, përcjell Gazeta Online Reporteri.net

Ministria turke e Mbrojtjes publikoi një video ku shihen ushtarët që mbajnë shenjat e misionit paqeruajtës të KFOR-it të udhëhequr nga NATO duke u larguar nga Turqia për në Kosovë.

Protesta e 29 majit në komunën e Zveçanit la të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, 11 italianë dhe 19 hungarezë. Lëndimet që pësuan ushtarët përfshinin fraktura dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara.

Pasi ushtarët u plagosën javën e kaluar, NATO tha se do të dërgonte 700 trupa shtesë në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit serbë shkëmbyen kushte për të de-përshkallëzuar situatën në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria mund të konsiderojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, por jo përpara se bandat përgjegjëse për dhunë të largohen.

Lista Serbe Srpska tha se do të merrte pjesë në zgjedhjet e reja komunale, por se qeveria duhej së pari të tërhiqte forcat speciale të policisë nga veriu i Kosovës dhe të vazhdonte me krijimin e Asociacionit.

Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, mbërriti në Prishtinë të hënën për t’u takuar me Kryeministrin Kurti sot në ora 20:00./Reporteri.net/