Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet policore mbi luftimin e kriminalitetit dhe dukurive të tjera negative, po vazhdon me kryerjen e detyrave, duke parandaluar kështu edhe një rast të kontrabandimit me mallra në vlerë të konsiderueshme.
Me datën 01.06.2023 rreth orës 21:10 njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare-lindje-Kaçanik, ka identifikuar një automjet me targa vendore i cili ishte duke ardhur nga fshati Tanushë-Republika e Maqedonisë së Veriut në drejtim të fshatit Debëlldeh- RKS.
Njësia e lartcekur në rrugën Debëlldeh- Binqë pasi e ka sinjalizuar për ndalje automjetin e dyshuar, personi i dyshuar/drejtuesi i mjetit, ka tentuar që të kthehet mbrapa në drejtimin nga fshati Debëlldeh –Tanushë.
Njësitë policore, pasi kanë ndaluar automjetin e dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull me iniciale I. B., gjatë kontrollit kanë gjetur të ngarkuar çaj për dobësim 1584 pako të një firme dhe 50 pako çaj të një firme tjetër, e që në total janë gjetur 1634 (një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër) pako, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas çmimit të tregut është mbi 44000 euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përkatës mbi prejardhjen e tyre.
Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa malli dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.