Prokuroria e Pejës ngre aktakuzë për ndërtimin e vilave në Rugovë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë për ndërtimet në pronën e Institutit për Hulumtime Bujqësore, në fshatin Stankaj të Rugovës.

Ndonëse detajet nuk janë bërë publike, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për ATV-në se objekt i aktakuzës nuk janë vetëm vilat në fshatin Satnkaj.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, ka përfaqësuar në Gjykatën Themelore të Pejës, aktakuzën e ngritur pikërisht për ndërtimet e ndodhura në fshatin Stankaj të Rugovës, përkatësisht në pronën e Institutit për Hulumtime Bujqësore. Bëhet fjalë edhe për pronat e tjera të Institutit për Hulumtime Bujqësor, jo vetëm në fshatin Stankaj, por edhe në rajone të tjera, të cilat janë kompetencë territoriale e Prokurorisë Themelore në Pejë”, thuhet në përgjigjen e Nikçit.

Në hulumtimin e Ministrisë së Bujqësisë, të siguruar ditë më parë nga ATV-ja, janë evidentuar 41 parcela të uzurpuara, me një sipërfaqe prej 90 hektarësh. Në këto sipërfaqe janë të ndërtuara 26 vila banimi dhe pothuajse të gjitha vilat janë ndërtuar në afërsi të rrugës që lidh fshatrat, për t’iu dhënë qasje më të lehtë.

Por, sipas kësaj prokurorie, hetimet janë zhvilluar para se ministri i Bujqësisë, Faton Peci, t’i ketë denoncuar publikisht ndërtimet në tokën e shtetit.

“Prokuroria Themelore në Pejë hetimet i ka zhvilluar para se ministri në fjalë t’i shprehë publikisht shqetësimin për pronat në Stankaj. Pasi ministri i Bujqësisë është deklaruar për ketë çështje, Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar para disa muajsh Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, të cilat në këtë fazë s’mund të bëhen publike”, thotë Nikçi.

Derisa ditë më parë, ministri i Bujqësisë ngriti shqetësime për mosreagimin e prokurorisë, akuzoi ministrat e kaluar se kanë lejuar degradimin e pronës publike.

“Për mua ka qenë alarmant dhe i pashpjegueshëm mosreagimi i institucioneve relevante, në këtë rast Ministrisë së kaluar të Bujqësisë dhe lejimi i ndërtimit të këtyre vilave në tokën shtetërore. Unë kam alarmu dy herë edhe përmes dokumentacioneve, nuk i posedoj emrat se në pronësi të kujt janë ato vila. Është detyrë që duhet ta kryejë Prokuroria, por edhe Komuna e Pejës e cila nuk ka ndërhyrë në parandalimin e pronës shtetërore”, ka thënë minsitri i Bujqësisë, Faton Peci.

Megjithatë, Ministria e Bujqësisë në hulumtimin e saj nuk ka evidentuar se kush janë uzurpatorët e këtyre pronave. /atvlive.tv