Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Flamur Kadriu, ka paralajmëruar se kjo agjenci do të vazhdojnë inspektimet nëpër tregjet ku therja e kafshëve bëhet në mënyrë ilegale.
Krejt kjo sipas tij, po bëhet në bashkëpunim më Ministrinë e Bujqësisë, me vetë faktin që sëmundjet e kafshëve të mos transmetohen te qytetarët.
Ai pohon se therja e kafshëve duhet të bëhet në thertore të autorizuara, të cilat i plotësojnë kushtet higjienike sanitare.
“Ne do të vazhdojmë me inspektime, ne edhe me parë kemi pasur inspektime të kohëpaskohshme. Gjithmonë po përballemi me situata të vështira, sigurisht që operatorët e ndryshëm, persona të ndryshëm e kanë mënyrë të jetesës e kanë mbijetesë, mirëpo me keqardhje ne duhet t’i zbatojmë rregullat që janë të shkruara”.
“Tash fatkeqësisht apo fatmirësisht ato rregulla ne nuk i kemi shpikur vetë mirëpo janë standarde ndërkombëtare të cilat për arsye jashtëzakonisht të rëndësishme edhe janë vendosur. Therja e kafshëve duhet që të bëhet vetëm në thertore të autorizuara, të cilat i plotësojnë kushtet jashtëzakonisht mirë për arsye që të mos barten sëmundjet nga kafshët tekë njeriu. Prandaj është e rëndësishme që therja e kafshëve nëpër tregjet ilegale, nëpër hapësirat ku nuk ka kushte higjienike ndodh permanent që të rrezikohet shëndeti publik”, tha ai.
Ai tha se për këtë Agjenci sfidë është numri i vogël i inspektorëve, sipas tij, me 29 inspektorë veteriner sa aktualisht janë është numër i pamjaftueshëm që të i’u përgjigjen të gjitha kërkesave.
Kadriu tha se për këtë në ndarjet buxhetore kanë bërë kërkesë që t’i kenë edhe 20 inspektor, por që atyre u janë aprovuar vetëm shtatë kërkesa.
“Gjithmonë numri i inspektorëve është i pa mjaftueshëm sidomos sa i përket therjeve, numër i inspektorëve veteriner duhet me qenë i mjaftueshëm. Ne nuk i kemi të mjaftueshëm, i kemi gjithsej 29 inspektor veterinar të brendshëm të cilët kanë shumë obligime të tjera përveç kontrollit të therjeve në tërë territorin e Kosovës”.
“Ne në dëgjimet buxhetore kemi kërkuar t’i kemi edhe 20 inspektor të tjerë shtesë që t’i mbulojmë ato kërkesat e tona minimale që me një angazhim më të vrullshëm ti plotësojmë gjitha nevojat e tregut, që konsumatori të jetë i sigurt në produktet që ai i konsumon. Ne i kemi të aprovuara shtat pozita të reja të cilat fatkeqësisht duhet t’i ndajmë edhe më tjera profile të inspekcionit. Buxhetin e kemi të mjaftueshëm për ti realizuar ato projekte që i kemi”, tha ai.
Ai tha se si agjenci brenda një viti kryejnë mbi 65 mijë inspektime e që numri më i madh i tyre është në kufi.
“Ne kemi jashtëzakonisht një numër të madh të inspektimeve duke marr parasysh që kemi inspektorët edhe kufitar, gjitha pikat e kalimit kufitar, kemi inspektime të brendshme, veterinare, sanitare. Do të thotë numri i inspektimeve të përgjithshme mbërrin përmbi 65 mijë inspektime gjatë vitit, ato janë të ndara nëpër sektorë të ndryshme. Sektorët kufitare kanë një numër pak më të madh. Inspektimi për pirjen e duhanit i ka rritur inspektimet”, tha ai. /EO/