Gjermania po përgatit një paketë të re të ndihmës me armatime për Ukrainën, në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh. Kjo është paketa më e madhe e ndihmës që Berlini do t’i japë Kievit, që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar, tha më 13 maj Ministria gjermane e Mbrojtjes.
“Ne shpresojmë për një përfundim të shpejtë të kësaj lufte të tmerrshme të Rusisë ndaj popullit ukrainas, por fatkeqësisht fundi nuk duket në horizont”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius përmes një deklarate.
“Prandaj, Gjermania do të dërgojë ndihmën që mundet, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi ai.
Paketa e re e ndihmës do të përfshijë edhe 30 tanke shtesë Lepoard, makina të blinduara të llojit Marder, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë vëzhgues, tha ministria gjermane.
Revista Der Spiegel tha se kjo do të jetë paketa më e madhe e ndihmës që Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës që nga nisja e luftës në fundin e shkurtit të vitit të kaluar.
Njoftimi për ndihmën e re për Ukrainën vjen në ditën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po viziton Romën, ku pritet të zhvillojë bisedime me liderët politikë. Më pas ai do të qëndrojë në Berlin.
Zyrtarët gjermanë megjithatë nuk kanë konfirmuar vizitën, por policia gjermane ka nisur përgatitjet për këtë vizitë të presidentit ukrainas.
Aleatët perëndimorë i kanë dërguar armë të fuqishme Kievit që kur Rusia dërgoi trupat e saj në Ukrainë në shkurtin e vitit të kaluar, edhe pse aleatët nuk kanë dërguar avionë luftarakë, të cilat i ka kërkuar Zelensky.
Vitin e kaluar, Gjermania i dha Ukrainës ndihmë në vlerë prej 2 miliardë eurosh dhe gjatë këtij viti ka planifikuar 2.2 miliardë euro të tjera ndihmë, edhe pse detajet për këtë ndihmë ende nuk janë finalizuar.
Berlini po ashtu ka premtuar se do t’i dërgojë Kievit më shumë tanke Leopard-2 dhe ka nisur të trajnojë ushtarët ukrainas për përdorimin e tyre./REL