Ministria e Financave ka bërë të ditur se falja e 100 eurove të tatimit në pronë do të vlejë edhe për ata që e kanë bërë pagesën më herët sesa të miratohet Projektligji i Tatimit në Pronë në të dyja leximet në Kuvend.
Ministria e Financave përmes Projektligjit do t’ua falë qytetarëve nga 100 euro të tatimit në pronë për vitin 2023, pas rritjes së kësaj takse komunale në fillim të vitit.
Qytetarët që e kanë paguar më herë tatimin në pronë do t’u llogaritet si parapagim për këstet e tjera sapo Projektligji i Tatimit në Pronë të hyjë në fuqi.
“Theksojmë që, bazuar në Projektligjin e Tatimit në Pronë, falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, u llogaritet si parapagim për këstet e tjera”, thuhet në njoftim.
Deri më 30 prill, qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë, në të kundërtën do të gjobiten. Ndërsa afati për këstin e dytë të pagesës është fundi i muajit shtator.
Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.