Drita ka fituar derbin ndaj Prishtinës, derisa Malisheva ka arkëtuar pikët e plota ndaj Ferizajt, në kuadër të xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës.
Derbi më interesant padyshim ishte në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, ku “Intelektualët” shënuan fitore me rezultat 1:0.
Ndeshja ishte tejet e baraspeshuar me dy skuadrat që kishin raste të shumta shënimi. Drita posedoi më shumë topin, derisa Prishtina krijoi më shumë.
Ishte Almir Ajzeraj që shënoi një gol të bukur pas 41 minutave lojë që t’i ndihmojë të fitojnë derbin dhe të arkëtojnë pikët e plota.
Prishtina tentoi deri në fund që se paku të nxjerrte një pikë, por që assesi s’ia doli.
Kështu, Drita tani është lider i ri në Superligë me 60 pikë, derisa Prishtina zë pozitën e katërt me 43 sosh.
Në anën tjetër, Malisheva me mund ka shënuar fitore në udhëtim te Ferizaj me rezultat 1:2.
Pas vetëm 17 minutave lojë, Malisheva kaloi në epërsi me anë të Sobowale që shënoi një gol të bukur.
Ferizaj pastaj kishte mundësi të artë ta barazonte rezultatin, por Bardhi dështoi të shënonte në portën e zbrazur.
Malisheva rrezikoi sërish fillimisht me anë të Sobowale, por këtë herë sulmuesi si Bardhi dështoi ta dërgojë topin në portën e zbrazur.
Ferizaj arriti të kthehet në lojë me anë të Betim Haxhimusës që shënoi pas një topi të kthyer me një vollej të bukur (71′).
Sidoqoftë, Malisheva nuk u dorëzua dhe arriti ta përmbys me një aksion tjetër, ku Sobowale dribloi portierin dhe vulosi fitoren.
Me këtë tre pikësh, Malisheva ngrihet në pozitën e shtatë me 33 pikë, derisa Ferizaj tani bie në vendin e nëntë me 31 sosh.