Edhe sot në Gjykatën Speciale të Kosovës do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, teksa tërë javën do të jenë katër seanca.
Ndryshe dje ka përfunduar dëshminë e saj, dëshmitarja e parë, ndërsa trupi gjykues ka pranuar mocionin e mbrojtjes së Rexhep Selimit, për mospranim si prova, disa pjesë të dëshmisë së saj.
Ndërkohë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka thënë se është anëtar i LDK-së dhe ka thënë se ka qenë prezent në daljen e parë publike të UÇK-së. Ai, po ashtu ka thënë se Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë, kishte ushtruar presion që LDK ta pushojë aktivitetin e saj
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në javën e kaluar filloi procesi i paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.
Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).