Inspektorati Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka thënë për Radio Kosovën se ligji kundër duhanit është zbatuar që nga miratimi i tij, por sfiduese për ta ka qenë pasi që inspektoratet e tjera nuk u kanë ndihmuar që ta bëjnë zbatimin e këtij ligji.
Ndërsa nga zyra e OBSH-së në Kosovë kanë thënë për Radio Kosovën se fillimi i zbatimit të ligjit është një hap pozitiv për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës.
Në Kosovë rreth 33 për qind e qytetareve janë duhanpirës, dhe ajo çka është me shqetësuese është sepse pirja e duhanit nga gjinia femërore është rritur kohët e fundit në krahasim me të kaluarën. Ndërsa fillimi i konsumit të duhanit fillon nga të rinjtë e moshës 17 vjeçare dhe me theks të veçanet niset nga femrat dhe kjo, është tejet shqetësuese, ka thënë për Radio Kosovën kryeinspektori Sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku. Ai thotë se Ligji për Kontrollin e Duhanit, është zbatuar në maksimum, por që nuk patën përkrahjen e inspektorateve të tjera.
“Por një ndër sfidat më të mëdha është kur mbetesh vetëm. Është jashtëzakonisht problematike, sepse inspektoratet e tjera nuk na ndihmuan që ta zbatojmë këtë ligj dhe ta fuqizojmë. Ta rrisim vetëdijen shoqërore të kësaj shoqërie duke pasur për bazë edukimin bazik shëndetësor i cili është parametri kryesor për ta funksionalizuar një ligj”, ka thënë Tershnjaku.
Tershnjaku, tutje thotë se aktualisht i ka 49 inspektorë aktivë në gjithë territorin e Kosovës, dhe se kanë bërë kërkesë për rritjen e inspektorëve sepse janë në mungesë të tyre. Ndërsa Oleksandr Martynenko, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë për Radio Kosovën se Kosova duhet ta zbatojë ligjin kundër duhanit në hapësira publike, në mënyrë që të mos ketë pasoja shëndetësore për qytetarët.
“Një zhvillim tjetër pozitiv që ka ndodhur rishtazi është fillimi i zbatimit të ligjit për parandalimin e duhanit në hapësira publike. Ky ligj ekziston që 10 vite. Ky ligj është shumë i rëndësishëm që të zbatohet dhe të mos pihet duhani në hapësirat publike, në mënyrë që të mos ketë pasoja shëndetësore si për ata që e pinë duhanin, po ashtu edhe për ata që nuk janë konsumues të tij, që të mos sëmurën nga kanceri dhe të kenë një jetë të shëndetshme”, ka thënë Martynenko
Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.