Zënkat e familjes së gruas me dhëndrin, janë të shpeshta në vendin tonë. Në shumë raste, anëtarët e familjes së gjerë përfshihen në konfliktet dhe mosmarrëveshjes mes çiftit, duke dashur që ta marrin vetë drejtësinë në duar.
Kështu ka ndodhur dje në fshatin Qubrel të Skenderajt, ku një person dyshohet se ka kërcënuar bashkëshortin e motrës së tij.
Sinjali mëson se 32-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e dhëndrit të tij, i cili ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak si i dyshuar për dhunë në familje, dhe të njëjtin e ka kërcënuar.
Viktima ka denoncuar rastin në Polici, ku ndër të tjera edhe nëna e tij ka dhënë një dëshmi lidhur me rastin. Sipas saj, në momentin që i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e tyre, ajo ia ka parë një armë zjarri në bagazhin e veturës.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Leqinë dhe lagjen Kalabria në Prishtinë, mirëpo s’kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Ndërkohë i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin, ku ka mohuar të ketë pasur me vete armë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Kanosje’.