Përleshja mes katër personave në Pejë, njëri nga ta u qëllua me thikë në kraharor

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Pejë, ku si pasojë e një përleshjeje fizike, ka mbetur i therur me thikë një person,

Rastin e ka konfirmuar përmes një komunikate për media Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ku bëhet e ditur se në përleshje janë përfshirë katër persona.

Ndërkohë detaje janë dhënë edhe në raportin 24 orësh të Policisë, sipas të cilit, personi që u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka marrë plagë pasi është qëlluar me thikë në kraharor.

“Janë arrestuar 4 të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se ishin përfshirë në një rrahje ndërmjet vete. Njeri prej tyre, gjatë përleshjes, ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi është qëlluar me thikë në pjesën e kraharorit”, thuhet në raportin e Policisë.

Lëndime kanë pësuar edhe personat tjerë të përfshirë në përleshje dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.