Labinont Gruda ka hyrë në historinë e Kosovës si njëri ndër njerëzit që arriti të kryejë vjedhjen historike nga buxheti i Kosovës.
Ai brenda 76 minutave ka arritur të vjedhë hiç më pak se 2.1 milionë euro nga buxheti i Republikës së Kosovës duke manipuluar gjithë sistemin elektronik të pagesave.
Gruda një ish-zyrtar i Ministrisë së Financave kishte arritur që ta manipulojë gjithë sistemin e pagesave të projekteve të kësaj ministrie. Gjykata e Prishtinës ka hartuar dosjen e aktgjykimit ku përshkruan vjedhjen historike.
Gjithçka kishte nisur në orën 11 e 28 minuta, kur Gruda kishte nisur të hapte fjalëkalime të ndryshme në kompjuterin e ministrisë.
Fillimisht sipas dosjes ai i kishte dhënë vetes të drejtën në sistem që të krijonte përdorues të tjerë, ndërsa tutje duke krijuar profile të punëtorëve të tjerë të ministrive kishte arritur ta manipulonte sistemin në tërësi.
Procesi që nënkuptonte klikime brenda sistemit i mundësoi Grudës që pas 76 minutash të autorizonte vjedhjen e 2.1 milionëve.
Paratë me disa klikime ishin derdhur nga kontoja e thesarit – në konton e një kompanie.
Në dhjetor të vitit që lamë pas, Gjykata e Prishtinës shpalli vendimin për skandalin e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale e ngarkonte Labinot Grudën, zyrtar në Ministrinë e Financave, për veprat keqpërdorim i detyrës zyrtare, hyrje në sisteme kompjuterike vjedhje e identitetit.
Ndërsa, Kadri Shalën, prokuroria e ngarkonte me veprën ndihmë në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës.
E të dy bashkë, prokuroria i akuzonte për veprën shpëlarje e parave.
Gjykata e dënoi Labinot Grudën me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 viteve dhe dënim me gjobë në vlerën 8500 euro.
Po ashtu i shqiptoi dënimin plotësues me të cilin ia ndalon ushtrimin e punëve në funksion publik për 6 vjet.
Ndërsa, të pandehurin Kadri Shala gjykata e dënoi me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe dënim me gjobë në vlerë 33 mijë euro.
Gjykata me vendim e vërtetoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe tërë përshkrimin si në aktakuzë.
Sepse, sipas aktgjykimit të gjykatës, është vërtetuar se dy të akuzuarit kishin bashkëpunuar dhe kishin planifikuar kryerjen e veprave penale si në aktakuzë.
Për të vërtetuar këtë, në vendimin e gjykatës thuhet se janë marrë për bazë, provat e siguruara ku në ditën kritike shihen dy të akuzuarit se kanë udhëtuar në të njëjtin fluturim për në Stamboll të Turqisë.
E sipas vendimit, thuhet se në pamjet e siguruara nga aeroporti të akuzuarit shihen duke dalë së bashku, edhe pse gjatë shqyrtimeve gjyqësore tërë kohën të akuzuarit e kanë mohuar se njihen më herët.
Gjykata me vendim, ka bllokuar të gjitha transaksionet e kryera brenda bankave komerciale të vendit, duke i kthyer kështu buxhetit të vendit shumën në vlerën prej 943,585 euro.
Në vendimin e gjykatës, thuhet se janë konfiskuar edhe 4 automjete. Vetura e tipit “Audi A4” që ishte në pronësi të bashkëshortes së të akuzuarit Gruda.
Dy vetura të tipit “Audi A5” Sport Back dhe një veturë e tipit “ Taureg” që ishte në pronësi të të akuzuarit Bedri Shala.
Sipas vendimit të gjykatës, këto vetura ishin blerë si rezultat i parave që rrjedhin nga kryerja e veprës penale, pra me paratë e vjedhura nga Thesari.
Mirëpo, sërish gjykata nuk ka arritur të sigurojë vlerën e plotë të 2 milionëve të vjedhura.
Me vendim ka obliguar të akuzuarit se në afat 90 ditë nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi të kthejnë në mënyrë solidare shumën në vlerë 1,134,413.50 eurove.
“Obligohen të pandehurit Labinot Gruda dhe Kadri Shala që të dëmtuarës Ministria Finacave Punës dhe Transfereve – Thesari i Kosovës, në mënyrë solidare t’ia kompensojnë dëmin në lartësi prej 1,134,413.50 euro, ashtu që së bashku me konfiskimit në mënyrë të përhershme të mjeteve monetare nga gjykata e të cilat janë gjetur tek palët e treta, të përmbushet vlera prej 2,077,995.90 euro e dëmit të shkaktuar, të gjitha këto në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi” – thuhet në vendimin e gjykatës.
Kujtojmë se Labinot Gruda pati pranuar fajësinë për veprën që Prokuroria ia vë në barrë, mirëpo gjykata e kishte refuzuar pranimin e fajësisë.
Ndërsa, Kadri Shala kishte negociuar me Prokurorinë për marrëveshje për pranimin e fajësisë, mirëpo nuk patën arritur një të tillë.
Në aktakuzën e siguruar nga Kallxo Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit 2020, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK” ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avancë, donacione e kryerje të borxheve.
1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonierës dhe pompës së betonit./Kallxo.