Ekipi i përbërë prej 34 karateistëve kosovarë ka vendosur të bojkotojë garat në Kampionatin Evropian të karatesë për kadetë, juniorë dhe U21 që po mbahet në Qipro. Bojkotimi i garave vjen si pasojë e mos njohjes së Kosovës nga vendi mikpritës i kampionatit, Qipro.
Nga 48 shtete pjesëmarrëse, Qipro ka injoruar totalisht Republikën e Kosovës duke mos njohur simbolet shtetërore dhe përfaqësuesit e saj.
Pas diskriminimit në Kampionatin Evropian, drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës kanë vendosur të bojkotojnë garat.
“Ka qenë vendimi më i vështirë gjatë karrierës sime, nuk mund ta përshkruaj hidhërimin në sytë e sportistëve kur kemi vendosur tërheqjen”, ka thënë fillimit selektori Ylber Syla për Paparacin.
Syla ka rrëfyer se drejtuesit e federatës kanë qenë në bashkëbisedim të vazhdueshëm me drejtuesit e MKRS-së dhe Federatës Ndërkombëtare të Karatesë, mirëpo nuk kanë arritur të gjejnë një dakordim.
“Është çështje politike që nuk ka shpjegim. Unë i kam kaluar vetë këto vështirësi, por në atë kohë kanë qenë rrethanat ndryshe, është e papranueshme të ndodhë një gjë e tillë ditëve të sotme”, është shprehur Syla.
Selektori i Kosovës shpreson që këso probleme të mos ndodhin në të ardhmen, teksa një gjë të tillë nuk e dëshiron për asnjë federatë.
“Me të vërtetë ishte shumë e vështirë, shpresoj që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë më, jo vetëm për Federatën e Karatesë, por për asnjë federatë”.
Kosova kishte udhëtuar drejt Qipros me 34 karateistë, ndërsa priteshin medalje nga të trija kategoritë, grupmoshat – kadetë, juniorë dhe U21.
Kampionati Evropian i karatesë do të vazhdojë të mbahet deri të dielën