Përleshjet mes të rinjve jo rrallëherë ndodhin për shkak të zënkave që fillojnë në rrjete sociale dhe eskalojnë në kanosje serioze e rrahje brutale. Për të tilla raste shumë të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë, duke u futur kështu në telashe.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Shkozë të Malishevës, ku një 16-vjeçar është sulmuar fizikisht nga dy bashkëmoshatarë të tij, me të cilët e ka zënë sherri pas konflikteve që kishin në rrjete sociale.
Si pasojë e lëndimeve që ka pësuar, i mituri është dërguar me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku ka marrë trajtim mjekësor, teksa në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë në lidhje me rastin, ku ka rrëfyer se si nisi gjithçka dhe përfundoi me sulm.
Dy të miturit e dyshuar për këtë rast janë arrestuar dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalohen për 24 orë dhe të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.