Zënkat e ngatërresat mes baballarëve me fëmijët e tyre shpeshherë eskalojnë në konflikte serioze dhe përfundojnë me përleshje brutale. Për pasojë, ata detyrohen të kërkojnë ndihmë nga Policia, duke i denoncuar rastet. Kështu ka ndodhur në fshatin Katund i Ri në Pejë, pasditen e djeshme.
Këtë herë në rast janë të përfshirë djali 49-vjeçar dhe babai i tij 80-vjeçar, të cilët u kapën me njër-tjetrin gjatë ditës së djeshme dhe për pasojë i moshuari përfundoi në prangat e Policisë.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari fillimisht i kishte shkuar të birit te shtëpia, ku kanë pasur një debat në lidhje me disa kamera e më pas e kishte sulmuar, duke e tensionuar deri në atë pikë sa viktima u detyrua ta thërras Policinë.
Me të dalë një njësi policore në vendin e ngjarjes, i dyshuari vetëm sa vazhdoi me sjelljet e njëjta dhe me kërcënime, duke iu drejtuar Policisë se “nëse nuk ma largoni djalin unë i kalli robtë e shpisë”.
Pasi viktima ka rrëfyer para policëve në detaje ngjarjen që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre, Policia e ka prangosur babain e tij, i cili është shoqëruar në Polici dhe pas përfundimit të procedurave është dërguar në mbajtje për 48 orë. /sinjali