Serbët nuk po i dëgjojnë thirrjet e ndërkombëtarëve: 10 ditë me barrikada, Veriu vazhdon të jetë i bllokuar

Tash e 10 ditët pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar me vendosjen e barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për largimin e barikadave ato vazhdojnë të qëndrojnë ende.

Heqja e tyre po kërkohet të bëhet nga ata që i kanë vendosur.

Javën e kaluar Serbia i ka bërë kërkesë NATO-s lidhur me dislokimin e deri një mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Lidhur me këtë kërkesë nga KFOR kanë thënë se aktualisht po e shqyrtojnë këtë kërkesë.

Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Kur jemi te java e kaluar theksojmë se dje disa qytetar kanë protestuar në pikën kufitare në Jarinje nga ana e Serbisë.

Një pjesë e qytetarëve janë parë të maskuar, ndërsa në duar kanë flamuj të Serbisë. Kurse, në anën kosovare të kufirit në Jarinjë, shihen pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s, KFOR.

Pas protestës të së dielës pranë kufirit në Jarinjë nga një grup të së djathtës ekstreme, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët duhet të sigurohen që Policia e Kosovës ka kapacitete dhe është e aftë të përballet me strukturat kriminale.

Heqja e tyre po kërkohet të bëhet nga ata që i kanë vendosur. Kështu tha këtë javë gjatë qëndrimit në Prishtinë, Emisari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas Escobar, barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur.

“Ajo që dua të them ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara. Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato”, tha dje Esobar.

Se barrikadat duhet të hiqen me marrëveshje politike, jo me buldozerë, e tha edhe ndërmjetësi evropian në dialog Miroslav Lajçak.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se këtë punë ia ka lënë në dorë KFOR-it, por se të njëjtit kanë kërkuar pak kohë derisa të intervenojnë.

Nga KFOR nuk kanë deklaruar se kur po synojnë të ndërmarrin hapa drejt heqjes së barrikadave e eliminim të tensioneve. Sidoqoftë, me plot bindje kanë theksuar se po vazhdojnë të qëndrojnë vigjilentë ndaj zhvillimeve të fundit në veri, dhe të aftë ta kryejnë misionin e tyre në Kosovë.

“KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, thanë shkurtimisht nga KFOR për Reporteri.net.

Përpos Policisë dhe EULEX-it, për ta parandaluar eskalimin e situatës, KFOR dy ditë më parë deklaroi për Gazetën Online Reporteri.net se është në kontakt me forca të sigurisë të të dy palëve, ato të Kosovës e të Serbisë.

”Komandanti i KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt me homologët e tij, përfshirë përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë të Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, theksohet në përgjigjen e KFOR.

Ndërkohë, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se ka pranuar kërkesë nga Serbia lidhur me dislokimin e deri një mijë trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Nga KFOR kanë deklaruar se aktualisht po e shqyrtojnë këtë kërkesë.

“E kemi pranuar një kërkesë nga Serbia dhe aktualisht jemi duke e shqyrtuar. KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, thanë nga KFOR për Reporteri.net.

Ministri Sveçla, ka njoftuar të shtunën, përmes llogarisë së tij në Facebook, se ka qëndruar në mbrëmjen e 16 dhjetorit në Bërnjak, së bashku me zyrtarët e Policisë së Kosovës të angazhuar atje.