KUVENDIT I KOMUNËS MIRATOI 86 MIJË EURO PËR KOMPENSIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA VËRSHIMET

Kuvendi Komunal Klinë ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen e zonave të përmbytura pas vërshimeve nga reshjet e fundit të muajit nëntor.

Seancën e udhëhoqi kryesuesi i kuvendit, z. Fadil Gashi dhe të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Klinës, prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarja, znj. Marqe Tanushi Selmanaj, anëtarë të Kuvendit, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të Policisë së Kosovës, rajonit në Klinë, Radio Alba dhe media të tjera.

Para të pranishmëve, drejtori i drejtorisë për Shërbime Publike, z. Qendrim Millaku, shpalosi raportin e komisionit për vlerësimin e gjendjes së shkaktuar nga vërshimet.

“Bashkë me kryetarin e komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, kemi qenë në teren prej momentit të fillimit të reshjeve atmosferike e deri pas rritjes së nivelit të ujit tek “Drini i Bardhë”, “Lumbardhi”, lumin “Klina” dhe lumi “Mirusha”. Për disa ditë dhe net me radhë kemi arritur t`i vizitojmë bizneset që gjenden në Volljakë të Klinës, pastaj kemi vazhduar në fshatrat Pogragjë, Dush, Ujmirë, Krushevë e Madhe dhe Krushevë të Vogël, Rudicë, Budisalc dhe Dugajevë si dhe komplet bizneset që gjenden skaj lumit “Drini i Bardhë” në Volljakë dhe lumit “Mirusha”.
Pas qetësimit të gjendjes në teren kryetari ka formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve. Komision menjëherë ka dalë në teren dhe në mënyrë intensive ka shqyrtuar të gjitha kërkesa e pranuar nga qytetarët pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike. Komisioni ka bërë vlerësimin edhe në disa vendet ku nuk kanë pasur mundësi që qytetaret të parashtrojnë kërkesë.
Në total kanë qenë 79 kërkesa nga qytetaret të llojeve të ndryshme infrastrukturore, bujqësore dhe në të mira materiale.
Raporti i komisionit përmban të dhënat e hollësishme për vlerësimin e secilit person që ka pësuar dëme nga këto vërshime.
Vlera totale e dëmeve në komunën e Klinës është 788,663 euro. 500,000 euro ështëë vlera e dëmtimit të urave në fshatin Dugajeve dhe Rudicë, ndërsa pjesa tjerë prej 288,663 euro janë vlera e dëmeve në amvisëri, ekonomi familjare, biznese dhe në infrastrukturë publike.
Publikisht i falënderoj edhe kompanitë që na kanë ndihmuar me mjetet e tyre gjatë vërshimeve si Mirusha Company, Gurëbardhi, Mendi dhe z. Ajet Foniqi, një qytetarë me mjetin e tij privat që ka kryer ndërhyrje.
Një falënderim të veçantë kanë Stacioni Policor në Klinë dhe Njësia e Zjarrfikëseve, të cilët kanë qenë me stafin e plotë në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët tanë”, ka thënë në fund drejtori Millaku.

Kuvendi me shumicë votash miratoi raportin e Drejtorisë për Shërbime Publike për vlerësimin e dëmeve në vlerë prej 86 mijë euro.