Policia e Kosovës që nga mbrëmë ka shtuar praninë në veri të Mitrovicës, pas zhvillimeve të fundit që u paraprinë zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë shpallur të mbahen më 18 dhjetor.
Mbrëmë, por edhe sot janë parë numër më i madh i policëve të Kosovës në pjesë të ndryshme në veri të vendit.
Prani më e shtuar e Policisë është parë në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe afër Zyrës së KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, e cila ishte cak i sulmit me shok-bombë.
Kujtojmë se mbrëmë një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar në Zveçan me armë zjarri, ku si pasojë një polic është plagosur dhe po trajtohet në QKUK dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.