KLINA NIS JAVËN E KULTURËS

Komuna e Klinës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport hapi sot “Javën e Kulturës”, në hollin e Galerisë të “Jehona e Dukagjinit”, me ekspozitën kolektive të studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, e cila ishte e pranishme gjatë këtij aktiviteti së bashku me stafin e saj organizativ, theksoi rëndësinë e aktivizimit rinor sidomos në aspektin kulturor duke e referuar si pikëtakim të shumë qytetarëve e grupeve të ndryshme.

“Kjo javë, pohoi drejtoresha Gashi, do të ketë një program të ngjeshur, një format ndryshe i organizimit, që do të pasqyrojë dhe prezantojë jetën kulturore në Klinë si një vlerë që na bashkon të gjithëve.

Njëherësh, falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që janë dhe do të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve edhe ditëve në vazhdim, që bashkërisht po punojmë për të kultivuar sa më shumë artin në mesin tonë”, – ka thënë drejtoresha Gashi.

Java kulturore financiarisht mbështet nga Komuna e Klinës, ndërsa mbahet nga 14 nëntor deri më 18 nëntor.