Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha se Franca e mbështetë plotësisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, megjithatë theksoi se janë disa çështje që janë duke u diskutuar në nivel teknik në BE.
“Në qershor të këtij viti, presidenti Emmanuel Macron i ka thënë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se ne jemi në favor të liberalizimit të vizave me disa masa përcjellëse që duhet të realizohen. Diskutimet teknike për liberalizimin e vizave po vazhdojnë dhe po presim që të ketë një vendim pozitiv, të favorshëm”, deklaroi ambasadori francez, Guerot.
Të enjten, vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).
Këto komente Guerot i bëri pas një ceremonie të organizuar bashkërisht në mes të Ambasadës së Gjermanisë dhe Ambasadës së Francës në përkujtim të armëpushimit të 11 nëntorit 1918, veprim ky që i dha fund Luftës së Parë Botërore.
I pyetur nga gazetarët, ambasadori francez, nuk komentoi shumë për atë që po quhet “plani franko-gjerman”.
Për këtë plan që parashihet t’i sjellë më afër normalizimit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian ka thënë se kanë marrë përgjigje si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.
Në BE, kanë thënë se janë duke analizuar përgjigjet e dërguara nga palët.
“Kur janë në pyetjet rezultatet konkrete, mendoj se nuk mund të ju them më shumë në këtë fazë. Është koha e paraparë kur do të bëhet publike”, theksoi Guerot.
Krahasuar me zyrtarët në Serbi, në Prishtinë, zyrtarët e qeverisë kanë shprehur më hapur përkrahjen për këtë plan.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, po qëndrojnë në Francë ku janë takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron. Në këto takime, ambasadori Guerot tha se është diskutuar mes tjerash për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Guerot tha se pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, duhet dialog për të normalizuar situatën atje./REL