Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza në rastin “Ukë Rugova II”, janë dëgjuar katër dëshmitarë të cilët mohuan të kenë aplikuar për viza italiane.
Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islam ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.
Fillimisht, dëshmitarja A.S ka mohuar të ketë plotësuar ndonjëherë ndonjë formular për të aplikuar për vizë italiane, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me lejen e gjykatës, prokurori special Rafet Halimi, i ka dhënë në shiqim dëshmitares A.S, një formular e për të cilin dëshmitarja mohoi të ketë plotësuar ndonjëherë formular të tillë, e as që ka aplikuar për vizë italiane.
“Po e shoh që është një nënshkrim si i imi ama qeky i jemi nuk osht se unë nuk kam apliku asnjëherë për vizë”, shtoi ajo.
Po ashtu, prokurori Halimi i prezantoi edhe një kontratë të punës me biznesin “SH.P.K GYM” dëshmitares A.S, duke e pyetur nëse ajo kishte punuar ndonjëherë në këtë biznes, por që e njëjta mohoi këtë.
“Jo nuk është e imja, nënshkrimi pak si i jemi po doket ama qashtu A.S. unë kurrë nuk e boj”, tha ajo.
Po ashtu, dëshmitarja A.S mohoi të ketë aplikuar ndonjëherë në kompaninë “ELSIG” për sigurim shëndetësor.
Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Lendita Gashi e cila tha se e njeh të akuzuarin Fitim Beqiri si shok të vëllait të saj dhe se i njëjti kishte kërkuar nga agjencioni i saj turistik t’i bënte disa rezervime dhe sigurime shëndetësore lidhur me një panair apo seminar në Gjermani.
Më pas, ajo sqaroi se ishte njoftuar nga Fitim Beqiri se ato rezervime dhe sigurime duhej të anuloheshin për shkak të anulimit të vizave.
Lidhur me procedurën e anulimit të tyre, dëshmitarja Gashi tha se kur kompania e sigurimeve njoftohet për anulimin e vizave, ato në mënyre automatike anulohen.
Ndërsa, lidhur me numrin e personave që kishin bërë rezervimeve, ajo tha se meqenëse ka kaluar kohë e gjatë nuk i kujtohet saktësisht por fillimisht tha se kanë qenë diku 4-6 persona e që pastaj kërkesat kanë qenë të vazhdueshme, ku numri sipas saj kishte shkuar diku në 50-60.
Po ashtu, dëshmitarja Gashi tha se është normale të kërkohen përnjëherë rezervime për një numër më të madh të personave me arsyetimin se organizohen grupe për seminare, trajnime apo panaire të ndryshme jashtë vendit.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Fitim Beqiri, avokatit Eset Berisha, nëse është e saktë se vizat janë refuzuar apo janë anuluar për shkak se i akuzuari Beqiri nuk ka gjetur termine, dëshmitarja Gashi tha se qëndron kjo e fundit pasi që ka kaluar kohë e gjatë dhe se për të është e njëjta gjë.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Kushtrim Gashi, i cili tha se të akuzuarin Fitim Beqiri e ka shok por që personalisht nuk ka kryer ndonjëherë ndonjë shërbim për të.
Ai sqaroi se kishte pasur njohuri që Beqiri kishte shkuar në agjencion te motra e tij por që tha se nuk e dinë saktësisht se a kishte qenë për rezervime të hoteleve dhe sigurime apo për bileta.
Po ashtu, edhe dëshmitari Valon Halimi, mohoi të ketë aplikuar ndonjëherë për vizë italiane.
“Jo, nuk kam aplikuar dhe unë as nuk kam dashur për vete të aplikoj për vizë por për vëllain, por as ai nuk ka apliku”, tha ai.
Më pas, dëshmitari Halimi sqaroi se në kohën kur kishte punuar në një bastore, aty kishte shkuar një person nga fshati Zhegër, emri i të cilit nuk i kujtohej, duke ia kërkuar një kopje të pasaportës të vëllait të tij A.H.
“Pas dy dite më ka njoftu se smuj me bo kurgjo”, tha ai.
Në mungesë të dëshmitarëve të tjerë, seanca e sotme është ndërprerë ndërsa e radhës do të mbahet më 14 nëntor 2022
Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islam ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.
PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.