LISTAT E PËRJASHTIMIT

Në uzinën demokratike
të përpunimit të biografive
të armiqve të klasës,
trashëgimtar konsekuent i babait,
trashëgimtar besnik i gjyshit,
ai nënshkruan e pështyn
emrat e mbiemrave të vjetër
në listat e përjashtimit.

NËN SHËNJESTRËN E KAMERAVE
Shpesh kurthin ta vë liria
ose ekrani i celularit,
kjo dritare e Vëllai të Madh,
dhe ti e thua ëndrrën, të shkretën,
ashtu siç e ke thënë përherë.

Pastaj?
Pastaj vijnë me t’marrë,
zakonisht dy veta me kostume të mira
që t’i lidhin duart prapa me pranga
e të futin në mes,
si Jozefin e Kafkës,
sepse shteti thotë
nuk ka qytetar të pafajshëm.
Dhe ta caktojnë avokat
një që të ka dënuar
për veprimtari armiqësore
“në emër të popullit”*
dyzet vjet më parë.
_____________________________
*titull në krye të aktvendimeve gjyqësore
të gjykatave të komunizmit.
PJETËR BOGDANI, TI DHE UNË
Tash kur ti nuk flet,
kur ti nuk ke kujtesë,
unë prej dhimbjes të pyes kot
a të kujtohet njëherë,
duke u ngjitur ngadalë Bregut të Dielit,
ra fjala për Pjetër Bogdanin
e na tronditi i tij i tmerrshmi zhvarrimi?

Tash kur ti nuk flet,
kur ti nuk ke kujtesë,
unë të pyes kot
pse, bre, ti re,
e pse rron sot nën tokë?
Me çizme prej lëkurës së regjur të lirisë,
me çizme prej lëkurës sate
të nxirë në burg e të shpuar në luftë
bukëshkalët e atdheut të shkelin ty përditë,
shkelin midis teje, të shkelin mu në mes,
e mua më dhemb dhimbja jote e të pyes ty kot
vërtet pse ti re, bre, vërtet pse ti ke rënë?