Ka më shumë se tri javë që është vjedhur Ambulanca e Mjekësisë Familjare në fshatin Gllarevë të Klinës.
Mirëpo, ky rast është raportuar në Polici tek në fundin e kësaj jave, teksa cak ishin shumë terapi dhe pajisje.
Këto nuk u gjetën më nga data 13 e këtij muaji, derisa infermierja Vlora Morina që punon në këtë institucion shëndetësor prej vitit 2020, tregon se një ditë më parë la gjithçka në rregull me përfundimin e orarit, madje edhe të pastruar nga higjenisti.
E njëjta tregon se në AMF-në e Gllarevës pos saj punon edhe një infermier tjetër, Dylber Gashi i cili kishte qenë i pari që kishte arritur në ambulancë dhe kishte hasur në gjurmët e vjedhjes, por që i njëjti as nuk e kishte kontaktuar paraprakisht kolegen e tij dhe as njoftuar policinë, përveç menaxhmentin e QKMF-së në Klinë.
Bile, siç tregon infermierja Morina, e cila është e punësuar në kuadër të shërbimeve që i blen komuna, askush nga QKMF-ja e Klinës nuk e ka vizituar këtë hapësirë pas ndodhjes së këtij rasti. Dhe as kur u thye dera e kësaj ambulance gjatë kësaj jave, ku për Morinën u bë edhe një arsye më e madhe për ta raportuar vjedhjen dhe këtë të fundit tek organet e rendit.
Sipas saj edhe me ardhjen e policisë, këta të fundit deklaratat nuk i morën nga të dy punonjësit.
Profesionistja shëndetësore Morina bën me dije se nuk dyshon që mund të këtë qenë ndonjë përdorues i narkotikëve, ngase sipas saj do të merreshin shiringa dhe diazopana, por jo gjërat tjera që janë vjedhur.
Ani se objekti vëzhgohet nga një kamerë jashtë, gjatë raportimit tonë dhe kontaktit me QKMF-në na u tha se tek në këtë të shtunë është kërkuar që të shikohen pamjet, pasi u bë me dije se kamera me shumë gjasë nuk ka qenë funksionale.
Televizioni ka kontaktuar edhe infermierin Dylber Gashin që punon këtu çdo ditë, por i njëjti ka thënë se e ka të pamundur prononcimin dhe se për të gjitha është në njohuri kolegia e tij.
Drejtori i QKMF-së, Haxhi Ibishi insiston se kanë bërë një proces-verbal pas vjedhjes por që nuk e kanë raportuar rastin ngase kanë pretenduar se këtë e ka bërë dikush i papërgjegjshëm apo me probleme mentale, megjithëse potencon se janë për ta ndriçuar rastin deri në fund.