Reperi i njohur kosovar, Don Xhoni, brenda pak muajve ka përfunduar dy herë në Polici, si i dyshuar për posedim të paautorizuar të armëve. Hera e fundit ishte rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur ai u ndalua për kontroll në autostradë dhe në veturë iu gjet armë e municion. Policia e shoqëroi në stacion për intervistim dhe ndaj tij u iniciua rast.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se përveç armës, në bagazhin e veturës u gjetën edhe fishekë, teksa vetura BMW në të cilën ndodhej reperi ishte e vëllait të tij.
Por kjo nuk është hera e parë që reperin Xhonatan Isufi, e zë sherri me Policinë, pikërisht për shkak të armëve. Edhe para katër muajsh, Don Xhoni ishte arrestuar në rrugën “Tahir Zajmi” në Prishtinë, pas një kontrolli në veturën e tij, ku ishte gjetur një revole e tipit Zastava dhe disa fishekë.
Ndryshe, mbajtja e armëve pa leje është vepër që sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, pasi kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet