Pas pezullimit të grevës nga sindikatat nesër do të nisë mësimi në të gjitha shkollat e vendit. Megjithatë rikthen edhe debatin për cilësinë në arsim. Procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve në formë testi nuk e pranojnë nga SBAShK-u dhe mësimdhënësit.
Njohësit e arsimit mendojnë se vlerësimi i mësimdhënësve duhet të bëhet, ndërsa Ministria e Arsimit ka njoftuar se së shpejti do të hap konkursin për pranimin e 20 inspektorëve të rinj.
Mësimdhënësja Florie Sejdiu në Gjimnazin Natyror “Sami Frashër” në Prishtinë, përkundër se tha është e gatshme t’i nënshtrohet një testim me shkrim, tha se vlerësimi me shkrim është kompleks dhe ka shumë pikëpyetje.
“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve duhet të bëhet përmes inspektoratit, duhet të bëhet në forma të tjera, shtrohet pyetja kush do e formulojë atë test, si do të rrjedhë testi, kush i bën pyetjet, cilët janë ata që do të na vlerësojnë neve… Vlerësimi i mësimdhënësve është kompleks dhe nuk mund të bëhet me një test… Me një test nuk mendoj që është vlerësim dhe të tregojë se cili profesor meriton të punojë dhe cili jo… Unë jam e gatshme të hyj në test, në performancë dhe inspektorat të vijnë në orë mësimore. Jo vetëm unë, por të gjithë mësimdhënësit”, tha ajo.
Sindikata që përfaqëson mësimdhënësit, SBAShK-ut, është kategorikisht kundër që mësimdhënësit të testohen me shkrim.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, thotë se zgjidhja e vetme për të ngritur cilësinë në arsim është të forcohet divizioni i inspektorëve profesionalë të cilët do të shkonin në shkollë dhe do të monitoronin mësimdhënësit gjatë procesit mësimor.
Sipas tij, mësimdhënësit pranohen me konkurse të hapura dhe aty dëshmojnë se janë të aftë për punë.
“SBAShK-u është deklaruar para një kohe, madje për këtë është deklaruar edhe MAShT-i, se vlerësim me test të njohurive të mësimdhënësve nuk ka dhe nuk do të ketë. Ne kemi insistuar që të forcohet divizioni i inspektorëve profesional, të cilët do të shkonin në shkollë, në klasë dhe do ta monitoronin me punën që bënë mësimdhënësi në lëndën e tij gjatë procesit mësimor. Konsiderojmë që kjo është zgjidhje e vetme, ngase inspektorët profesional do të shihnin nga afër punën që bënë mësimdhënësi, do të shihnin edhe mangësitë eventuale, do t’i thuhej dhe këshillonte mësimdhënësin se si ti tejkaloj dobësitë eventuale që i ka pa qëllimin e tij, sepse ne mësimdhënësit mundohemi të punojmë por mundemi nganjëherë të gabojmë në ndonjë etapë të orës… Punëtorët e arsimit janë pranuar me konkurse për të punuar me nxënës e jo për t’u testuar, kjo diplomë e marr në universitetet publike dëshmon se ata janë testuar dhe përgatitur për tregun e punës”, përfundoi ai”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, ka deklaruar për KosovaPress se arsimit i mungon cilësia.
Ai tha se vlerësimi i mësimdhënësve duhet të bëhet patjetër. Sipas tij, mos vlerësimi i mësimdhënësve është pasojë e neglizhencës dhe anashkalimit të institucioneve qeverisëse.
“Arsimi mungon në cilësi dhe kjo është evidente këtë e dëshmojnë plot raporte kredibile ndërkombëtare…Ajo që ne duhet të kuptojmë dhe të reagojmë me shpejtësi është që të korrigjojmë që ky debati ynë për mungesë cilësisë mos të jetë i kufizuar vetëm si debat për mungesë cilësie por debati të nxit në reagime të shpejta institucionale për përmirësim të situatës… Mësimdhënësit duhet të vlerësohen, mos vlerësimi i tyre vihet si rezultat i një neglizhence dhe anashkalimi të institucioneve qeverisëse, që nga pas lufta ende nuk kemi një vlerësim të mirëfilltë të performancës së një mësimdhënësi. Për të ndryshuar kjo nevojitet një ristrukturim i legjislacionit që rregullon vlerësimin, mekanizma dhe instrumente që na mundësojnë që mësimdhënësit tanë të vlerësohen me saktësi për punën e tyre”, u shpreh ai.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se së shpejti do të hapet konkursi për pranimin e 20 inspektorëve të rinj të arsimit. KosovaPress iu është drejtuar me pyetje në lidhje me çështjen e vlerësimit por nuk janë përgjigjur.
Rezultatet e testit PISA shpeshherë merren si matës për nivelin e arsimit në vend. Së fundmi, edhe kryeministri Albin Kurti ishte kritikë për mësimdhënësit duke akuzuar se po prodhohen analfabetë funksionalë.
Por Jasharaj thotë niveli i dobët i nxënësve nuk është për fajin e mësimdhënësve. Ai ka thënë se deklarata të tilla janë të pamatura.
“Deklarata duken të këqija ky 67% të nxënësve janë dalë analfabetë, kurse disa dolën me deklarata të pabazuara më të këqija, se mësimdhënës ka analfabetë. Ato janë fyerje, shpifje, në këtë situatë duhet të ulemi bashkërisht t’i shohim ku janë të metat. Të metat janë se shkollat tona nuk janë furnizuar me mjete bashkëkohore të punës, ende punohet me shkumës dhe shpuzë. Të shohim cila është disiplina e shkollës, a është e pavarur shkolla apo ka ndërhyrje nga jashtë qoftë nga politika, pastaj të shohim tekstet shkollore, a janë më të qëlluarat dhe a korrespondojnë me plan programin”, theksoi ai.
Kujtojmë që Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht nisi grevën në sektorin publik për ta pezulluar përkohësisht sot dhe në rast mosplotësimi të kërkesave do të rikthehen në grevë në janar. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave. /KP/