Është bërë pothuajse një muaj që nga fillimi i grevës së përgjithshme, mirëpo edhe pas takimeve të shumta mes kreut të SBASHK-ut Rrahman Jasharajt dhe Qeverisë, ende nuk është arritur një kompromis për tejkalimin e kësaj situate.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka bërë thirrje që mësimi të fillojë sa më parë dhe në këtë mënyrë të shmangen pasojat për nxënës.
KMDLNJ-ja ka bërë të ditur se për shkak të grevës mbi 300 mijë nxënës po humbin orët e mësimit.
Po ashtu, KMDLNJ-ja ka thënë se e drejta për shkollim është e drejtë njerëzore, por SBASHK-u po ua mohon këtë fëmijëve kosovarë.
“Qeveria e Kosovës është treguar kryeneçe duke bërë përpjekje, jo ta zgjidhë problemin përmes një marrëveshjeje të negociuar me SBASHK-un, por ka sulmuar frontalisht SBASHK- un duke përdorur fjalor linçues, bullizues, kërcënues, sidomos ndaj kreut të Sindikatës Rrahman Jasharajt, sikur edhe duke i penalizuar përmes heqjes së pagës për kohën që kanë bërë grevë”, thuhet ndër të tjera.
KMDLNJ-ja ka thënë se edhe “kërcënimi” i sindikalistëve me heqje page është në kundërshti të plotë me të drejtat e njeriut.
“Në anën tjetër të drejtat e njeriut e humbin kuptimin kur me këtë veprim i shkelni të drejtat e të tjerëve, të nxënësve, në rastin konkret. KMDLNj, në të gjitha reagimet ka deklaruar se greva mbetet mundësi dhe veprim i fundit, vetëm pasi të shtirren përpjekjet tjera e që në këtë rast nuk janë shfrytëzuar nga adresa kryesore e përgjegjësisë institucionale, qeverisë së Kosovës përkatësisht Ministrisë për Arsim që, në vend të dialogut, ka ofruar muskuj përballë SBASHK-ut, prandaj KMDLNJ-ja ka kërkuar dhe kërkon shkarkimin e ministres, Arbërie Nagavci”, thuhet ndër të tjera.
KMDLNJ-ja ka bërë thirrje që procesi mësimor të fillojë menjëherë, sepse në të kundërtën SBASHK-u do të ketë përgjegjësi për shkeljen e të drejtave të njeriut.