Pas deklaratave të Putinit, paralajmërohen protesta gjithë popullore në Rusi: Për çfarë do të vdesin djemtë e burrat tanë

Lëvizja Vesna (Pranvera) ka bërë thirrje për protestë gjithë popullore kundër mobilizimit të pjesshëm, që sot e paralajmëroi presidenti rus Vladimir Putin.

Siç raporton Meduza ruse, aktivistët i bënë thirrje qytetarëve që sonte në ora 19:00, të mblidhen në qendrat e qyteteve ruse, transmeton Telegrafi.

“Mijëra burra të Rusisë, baballarët, vëllezërit dhe bashkëshortët do të hidhen në makineri luftarake për bluarje të mishit. Për çfarë do të vdesin. Për çfarë do të derdhin lot nënat dhe fëmijët”, thuhet në kumtesën e Vesna në Telegram.

Kjo lëvizje më herët i kishte bërë thirrje ushtarëve rusë, që të refuzojnë të marrin pjesë në luftë dhe të dorëzohen.

Kjo kishte ndodhur para se Duma ruse të ndryshonte ligjet, pasi tani dorëzimi vullnetar konsiderohet vepër penale.

Kujtojmë që Vladimir Putin sot nënshkroi ligjin për mobilizim të pjesshëm në Rusi. Sipas ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, do të ftohen 300 mijë rezervistë.

E ky mobilizim mbështetet në të gjithë ata që kanë kryer shërbimin ushtarak, kanë përvojë ushtarake apo në lufta dhe ky ligj menjëherë pas fjalimit të Putinit ka hyrë në fuqi.

/Telegrafi/