Sot mbushen 25 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza.
Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti do të bëjnë homazhe te shtatorja e Nënë Terezës në Prishtinë, në orën 08:30. Në orën 09:30, presidentja Osmani bashkë me kryeministrin Kurti, vizitojnë Shtëpinë Muze të Nënë Terezës në Prizren.
Ndërkaq, me rastin e “Ditëve të Nënë Terezës”, në orën 15:00, në një ceremoni të veçantë, në Kabinetin e presidentes Osmani mbahet ceremonia e dekorimit të disa personaliteteve të shquara me medaljen për humanizëm “Nënë Tereza”.
Ipeshkvia e Kosovës në orën 11:00 mban meshën solemne të Festës së Shën Nënë Terezës, e cila sivjet koincidon me 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, 6-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku dhe 5-vjetorin e shugurimit të Katedrales.
Në orën 13:00 hapet ekspozita me fotografi ekskluzive të Shën Nënë Terezës “E kam në zemër Popullin tem Shqiptar”, në Qendrën “BogdaniPolis” në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ndërsa në orën 20:00 mbahet një koncert i Filarmonisë së Kosovës.
Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Ajo ishte nënë kujdestare e 7.500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3.400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe derisa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.
Papa Françesku më 4 korrik 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza. Kjo erdhi pas lituanive të shenjta që u bën në Vatikan.
Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.
E para ishte dëshmia e Monika Besra nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës së Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak. Ngjarja ndodhi në vitin 1998 një vit pas vdekjes së Nënë Terezës. Ajo rrëfeu se ndjekëset e saj e çuan në një kishë dhe i thanë të lutej përpara fotos së shqiptares. Ato i kishin dhënë një medaljon të Nënës Terezës të cilin e vendosën mbi stomakun e saj. Kur u zgjua Besra tha se dhembja e sëmundja ishte zhdukur. Kjo mrekulli u njoh nga në vitin 2003 Papa Gjon Pali i Dytë.
Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.